ARKIV – Gani Geci, i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit - Foto: KALLXO.com

Rrëfimi i dëshmitarit në gjykimin e Gani Gecit, i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit

‘Totalisht të pa rregullt’ e ka quajtur avokati Ndrecë Dodaj akuzën e prokurorisë ndaj të akuzuarit Gani Geci, nën akuzën për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit me katër gusht 2014 në Skenderaj.

Dodaj kështu ka deklaruar gjatë dhënies së fjalës hyrëse me rastin e fillimit të rigjykimit ndaj Gecit, në Gjykatën e Mitrovicës.

“Edhe në shqyrtimin e mëparshëm ju kemi referuar në pika të shkurta të gjitha provave se çka do të vërtetojmë edhe atëherë kam pasur disa vërejtje rreth akuzave të ndryshme. Të njëjta do t`i paraqes në pika të shkurta edhe tani aktakuza e ndryshme, por edhe sipas ish prokurorit është bërë në pikëpamje objektive, ai konstatim qëndron edhe tani ne mendojmë se çështja e akuzës është totalisht e pa rregullt, sepse këto akuza nëse lëshohen vetëm sipas pikëpamjes objektive rezulton te akuzat e drejtpërdrejta… Dhe kjo akuzë siç u lexua është në kundërshtim me shumë parime të Kodit të Procedurës Penale, ku zakonisht shkeljet bëhen në dëm të të pandehurit ashtu që shpresoj që në fund të këtij rishqyrtimit gjykata do të merr një vendim krejtësisht tjetër nga ajo që pretendohet sipas aktakuzës”, ka thënë Dodaj.

Kurse prokurori i rasti Naim Beka, ka thënë se mbetet pranë fjalës hyrëse të mëparshme duke shtuar se pret që pas riadministrimit të provave gjykata të nxjerr një aktgjykim meritor.

“Ne mbesin pranë fjalës hyrëse që është dhënë më parë nga kolegu, konsiderojmë se administrimi i provave do të sjell te marrja e një aktgjykimi meritor, gjithashtu duke marrë parasysh vërejtjet që janë deponuar nga Gjykata e Apelit, ne presim po ashtu që përveç riadministrimit të provave të tjera edhe nga riadministrimi i provave që i referohen statusit mendor të të pandehurit, në kohën e kryerjen se veprës penale, gjykata po ashtu besoj se do të nxjerr konkluzione të ligjshme dhe në fund do të kemi një situatë më të kompletuar rreth kësaj ngjarje“, tha Beka.

Po ashtu gjatë kësaj seance për të dëshmuar lidhur me rastin ishte ftuar edhe A. R.

Lidhur me rastin dëshmitari R., ka shprehur dëshirën për të mos u deklaruar, duke thënë se kanë kaluar rreth gjashtë vite dhe ka mundur të harroj detaje për rastin.

Por i shkurt në marrjen në pyetje të dëshmitari ka qenë prokurori Naim Beka.

Beka ka qenë i interesuar të dijë se po të mos e kishte përshëndetur tani i ndjeri, të akuzuarin Gani Geci, e me ç’rast ky i fundit ishte dal dhe kthyer.

“A do të ndalej Ganiu apo do të vazhdonte sheshit?”, pyeti prokurori.

“Vete Ganiun, ai e di a ishte ndal apo jo, nuk e di dhe s’kam qysh me ditë edhe ka qenë pas shpinës time Gania“, tha dëshmitari A. R.

Kurse i pyetur se e kujt kishte qenë ideja që të mblidheshin në kafiterinë “ N’Qosh”, dëshmitari A. R. ka thënë se ka qenë spontan takimi, kur ka shtuar se personin Bedri Shaqiri nuk e kishte parë ditën kur ka ndodhur rasti.

“A e ka parë Bedri Shaqirin, në çfarëdo rrethane para apo pas ngjarjes?, pyeti prokurori.

“Nuk e kam parë sa jemi kon na aty sa ka ndodhur ajo vrasje nuk e kam parë. Atë ditë fare se kam parë“, deklaroi dëshmitari.

Kurse duke u përgjigjur në pyetjen e avokatit Ndrecë Dodaj, dëshmitari A. R. ka thënë se nuk e kishte parë të pandehurin Geci duke hyrë në lokal, e as nuk e kishte ditur nëse i pandehuri kishte qenë në lokal ditën e ngjarjes.

Kurse kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Radosllav Markoviq e ka pyetur dëshmitarin nëse i kujtohet, tani i ndjeri Shaqiri a i kishte thënë Gecit vetëm “Shko largohu”, apo ka përdorur edhe ndonjë fjalë tjetër.

Lidhur me këtë dëshmitari ka thënë se nuk i kujtohet, ndërsa ka shtuar se e kishte dëgjuar në mënyrë të qartë bisedën e Gecit dhe Shaqirit.

E ftuar për të dëshmuar ka qenë edhe e dëmtuara Halime Shaqiri, por në fillim të seancës, gjyqtari Markoviq ka njoftuar se ftesa i ishte dërguar në adresën në të cilën edhe më parë i ishin dërguar ftesat nga gjykata, por se nga fletëkthesa është konstatuar se adresa është e panjohur.

Me pajtimin e palëve, prokurorit Naim Beka, mbrojtësit të të akuzuarit avokatit Ndrecë Dodaj, dëshmia e dhënë më herët nga dëshmitarja është konstatuar si e lexuar.

Gjyqtari Markoviq ka njoftuar se gjatë kësaj procedure do të dëgjohen të gjithë dëshmitarët që janë dëgjuar në shqyrtimin paraprak të rastit.

Ndërsa me qëllim që për seancën e ardhshme të ftohen edhe dëshmitarët tjerë për të dëshmuar seanca e radhës është caktuar për 14 prill 2021.

Akuza e prokurorisë

Sipas akuzës së prokurorisë e cila ishte ndryshuar me 1 prill 2016, Gani Geci akuzohet se me katër gusht 2014 në Skenderaj saktësisht në ballkonin e kafiterisë “N’Qosh”, kishte privuar nga jeta, tani të ndjerin Ruzhdi Shaqiri.

Akuza e prokurorisë thotë se kjo kishte ardh si rezultat i një konflikti të më hershëm të datës 19.10.2001 për plagosjen e Gecit dhe vrasjen e dy gazetarëve Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku.

I pandehuri kishte qenë duke dalur nga kafiteria dhe po shkonte në drejtim të sheshit bashkë me Zijadin Gecin, përderisa tani i ndjeri Ruzhdi Shaqiri ka qenë bashkë me personat Sh. K., N. K., S. H., E. J., A. R., B. M., dhe E. L., të gjithë këta sipas aktakuzës kishin qenë të ulur në një tavolinë në anën e djathë të ballkonit, duke u futur nga hyrja në lokal.

Derisa tani i pandehuri Geci ishte në shkallët e fundit në  dalje nga lokali dhe kishte hedhur shikimin në drejtim të sheshit, papritmas kishte dëgjuar fjalët “Selam Alejkum”, thuhet në aktakuzën e prokurorisë.

Në atë moment Geci kishte ndalur dhe ishte kthyer nga drejtimi prej nga kishte dëgjuar fjalët dhe sheh Ruzhdi Shaqirin, i cili sipas aktakuzës kishte ngritur dorën e djathtë lartë në ajër dhe pastaj i pandehuri shkon në drejtim të viktimës dhe ballafaqohet me të nga një distancë afërsisht një metër.

Gjithnjë sipas aktakuzës i pandehuri të ndjerit Shaqiri i ishte drejtuar me fjalët “A i ke mbledhur pleqtë për t`u betuar se ku ke qenë rreth orës 19:10“.

Aty kishte filluar sherri kur Shaqiri kishte shtyrë tavolinën me këmbën e tij të majtë duke ia kthyer Gecit “Zhduku, P…N.., unë nuk ta kam frikën, nxirre dhe gjuaj“, thuhet në aktakuzë.

Derisa ishte duke thënë këto fjalë Ganiu po ashtu fillon të ngritet dhe dorën e djathtë e drejton pas shpine dhe me këtë rast i pandehuri është ndier sipas aktakuzës i ofenduar dhe i kërcënuar nga viktima Shaqiri, dhe kishte nxjerr revolen duke shtënë katër herë në drejtim të viktimës.

Nga plagët e marra Ruzhdi Shaqiri vdes rrugës për në Spitalin e Mitrovicës.

Po ashtu Geci akuzohet edhe për veprën penale armëmbajtje pa leje dhe përdorim i armës. Për këtë të fundit gjatë seancës së sotme prokurori është tërhequr nga ndjekja penale.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast – LINK