Rrëfimet e të dëmtuarëve që paguan paratë dhe nuk i morën kurrë banesat

Gjykimi për krim të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje parash në lidhje me mashtrimin e 176 qytetarëve për shitblerjen e banesave nga kompania “Venis-O-Group”, ka vazhduar sot në Gjykatën e Pejës.

Estrida Bunjaku Vigan Bunjaku, Burim Vokrri, Xhemail Arifi, Faton dhe Valon Orllani, po akuzohen se kanë përfituar 2 milionë euro duke u shitur 176 blerësve banesa të cilat nuk i kanë marrë kurrë.

Prokurorja e rastit Habibe Salihu sot në seancë tha se edhe pas ngritjes së aktakuzës është duke u rritur numri i personave që po konsiderojnë të jenë palë të dëmtuara në këtë rast.

Sot disa prej të dëmtuarve dolën para trupit gjykues për të treguar për dëmin që u është shkaktuar nga këto shitblerje për banesat që nuk i kanë marrë asnjëherë.

E dëmtuara Mirjeta Halili, deklaroi sot se nga ky rast dëmi që i është shkaktuar ka qenë material dhe moral.

Halili tha se e akuzuara Estrida Bunjaku, ia ka kthyer shumën prej 4 mijë eurove, ndërsa i ka mbetur borxh 7 mijë e 500 euro.

Sipas saj, e akuzuara Bunjaku një pjesë prej shumës 4 mijë euro ia ka kthyer duke ia paguar qiranë e banesës.

Halili shtoi nga ky rast është dëmtuar shumë materialisht pasi që është dashur të paguaj kamatën bankës për atë shumë që ka marrë për blerjen e banesës nga Estrida Bunjaku.

Para gjykatës doli edhe e dëmtuara Valmira Istogu, e cila para trupit gjykues tha se dëmi që i është shkaktuar asaj është 19 mijë e 700 euro.

Ajo shtoi se këto të holla nuk iu kanë kthyer asnjëherë asaj, ndërsa as banesa nuk është ndërtuar asnjëherë.

Edhe Berat Shala e Islam Haliti si të dëmtuar u paraqiten sot para gjykatës për të treguar dëmin që kanë pësuar nga këto kontrata të lidhura mes tyre dhe të akuzuarve.

Sipas Shalës atij në total i është shkaktuar dëmi prej 36 deri në 37 mijë euro.

Ndërsa i dëmtuari Islam Haliti pretendon që për marrëveshjen kontraktuale ka paguar shumën prej 15 mijë e 166 euro.

Fillimisht, ky rast ka qenë duke u gjykuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por pastaj ky rast është deleguar në kompetencë të Gjykatës në Pejë, për shkak të numrit të madh të të dëmtuarve, si dhe në mesin e tyre ka edhe gjykatës dhe për t’i ikur ndonjë konflikti – interesi eventual, rasti është transferuar për gjykim në Pejë.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 18 mars.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë, pronarja e kompanisë “Venis-O-Group”, Estrida Bunjaku si dhe pesë persona të tjerë: Vigan Bunjaku, Burim Vokrri, Xhemajl Arifi, Valon Orllani e Faton Orllani të cilët nga prokuroria akuzohen se në bashkëkryerje me pronaren e kompanisë “Venis-O-Group”, i kanë mashtruar 176 qytetarë të cilëve u kanë paraqitur oferta të volitshme për shitblerjen e banesave ku më pas kontratat për shitblerjen e këtyre banesave kanë rezultuar të rrejshme.

Sipas aktakuzës të akuzuarit nga të dëmtuarit, në mënyrë të kundërligjshme kanë përfituar vlerën e të hollave në shumë prej 2 milionë eurove.

Në aktakuzë thuhet se të dëmtuarit paraprakisht kanë qenë të obliguar që grupit kriminal t’i paguajnë shumën e të hollave në vlerën më të vogël prej pesë mijë eurove e deri tek shuma më e madhe në vlerë rreth 200 mijë euro.

Sipas prokurorisë këto të holla janë paguar në xhirollogarinë e kompanisë “Venis-O-Group” dhe në xhirollogarinë personale të  Estrida Bunjakut e cila më pas përmes zyrtarëve të vetë të gjitha këto të holla i ka tërhequr brenda ditës dhe pastaj në bashkëkryerje me të akuzuarit e tjerë kanë bërë shpëlarjen e këtyre parave.

 

 

 

 

Prokuroria Kërkon Dëshmi nga Qytetarët që u Mashtruan nga Estrida Bunjaku