Rrëfimet e të dëmtuarëve që paguan paratë dhe nuk i morën kurrë banesat

Gjykimi për krim të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje parash në lidhje me mashtrimin e 176 qytetarëve për shitblerjen e banesave nga kompania “Venis-O-Group”, ka vazhduar sot në Gjykatën e Pejës.

Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, Burim Vokrri, Xhemail Arifi, Faton dhe Valon Orllani, po akuzohen se kanë përfituar 2 milionë euro duke u shitur 176 blerësve banesa të cilat nuk i kanë marrë kurrë.

Sot disa prej të dëmtuarve dolën para trupit gjykues për të treguar për dëmin që u është shkaktuar nga këto shitblerje për banesat që nuk i kanë marrë asnjëherë.

Dëshmitarja Shpresa Hajdini- Prebeza tha se me të akuzuarën Estrida Bunjaku ka pasur kontratë për blerjen e një banesë e që asaj banesa nuk i është dhënë asnjëherë.

E dëmtuara deklaroi se ajo ka paguar për 11 muaj nga 200 euro, si dhe shumën prej 10 mijë euro të cilën e ka paguar në fillim të nënshkrimit të kontratës.

“Estrida më ka thënë se na ka dalë një problem me gypa të ujësjellësit dhe tha se do të bëjë ndërtimin e një banesë në një tokë tjetër, ne kemi kërkuar kthimin e të hollave, dhe kemi lidh marrëveshje për kthimin e mjeteve”, tha tutje e dëmtuara Hajdini- Prebeza.

Dëshmitarja tha se këto të holla nuk i janë kthyer asnjëherë.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të saj, avokatit Mustafë Kastrati, e dëmtuara tha se objekti ku e ka pasur të kontraktuar banesën ka përfunduar së ndërtuari.

Sipas saj aty ndërtimin e ka vazhduar një firmë tjetër.

“Po ajo na tha që na ka dalë një problem dhe na ka ndërpre komuna punën”, shtoi e dëmtuara duke treguar arsyet që e akuzuara Bunjaku i kishte dhënë asaj.

I dëmtuari Argjend Sefa po ashtu deklaroi para gjykatës për kontratën që kishte lidhur për blerjen e banesës.

Ai tregoi për shumat e parave që ka paguar për këtë banesë.

“Në momentin që kam lidhur kontratë ka qenë 10 mijë euro ndërsa pagesa tjetër ka qenë me këste në momentin e dorëzimit të çelësave”, tha ai.

Ai tha se disa herë kishte kontaktuar më të akuzuarën Estrida Bunjaku, ndërsa banesën e as të hollat që kishte paguar nuk i kishte marrë asnjëherë.

“Kemi shku me pa lokacionin por aty nuk ka pas ndërtim, thjeshtë ka qenë një gropë”, shtoi ai.

Vërejtje në deklaratën e tij pati e akuzuara Estrida Bunjaku, e cila tha se më të dëmtuarin është takuar 2 javë para se të arrestohej, e pastaj nuk ka pas mundësi me e taku se ka qenë 1 vit në paraburgim.

Po ashtu ajo shtoi se të hollat i dëmtuari i ka paguar në xhirollogari të firmës e jo në xhirollogarinë e saj personale.

Edhe të dëmtuarit Sefë Meta dhe Medi Krasniqi treguan për dëmin që u është shkaktuar nga lidhja e kontratave për blerjen e banesave.

Sefë Meta deklaroi para trupit gjykues së ka paguar shumën totale prej 13 mijë e 500 eurove, ndërsa që banesën nuk e ka marrë e as të hollat nuk i janë kthyer.

“Fillimisht i kam paguar 10 mijë euro pastaj kemi filluar me 200 euro mujore dhe gjithsej kam paguar 13 mijë e 500 euro”, tha Meta.

Ndërsa Medi Krasniqi tha se ka paguar shumën prej 16 mijë e 838 euro dhe se të njëjtat nuk i janë kthyer e as banesën nuk e ka marrë.

“Shuma e tërësishme që kam paguar është 16,838 euro”, tha ai.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë, pronarja e kompanisë “Venis-O-Group”, Estrida Bunjaku si dhe pesë persona të tjerë: Vigan Bunjaku, Burim Vokrri, Xhemajl Arifi, Valon Orllani e Faton Orllani të cilët nga prokuroria akuzohen se në bashkëkryerje me pronaren e kompanisë “Venis-O-Group”, i kanë mashtruar 176 qytetarë të cilëve u kanë paraqitur oferta të volitshme për shitblerjen e banesave ku më pas kontratat për shitblerjen e këtyre banesave kanë rezultuar të rrejshme.

Sipas aktakuzës të akuzuarit nga të dëmtuarit, në mënyrë të kundërligjshme kanë përfituar vlerën e të hollave në shumë prej 2 milionë eurove.

Në aktakuzë thuhet se të dëmtuarit paraprakisht kanë qenë të obliguar që grupit kriminal t’i paguajnë shumën e të hollave në vlerën më të vogël prej pesë mijë eurove e deri tek shuma më e madhe në vlerë rreth 200 mijë euro.

Sipas prokurorisë këto të holla janë paguar në xhirollogarinë e kompanisë “Venis-O-Group” dhe në xhirollogarinë personale të  Estrida Bunjakut e cila më pas përmes zyrtarëve të vetë të gjitha këto të holla i ka tërhequr brenda ditës dhe pastaj në bashkëkryerje me të akuzuarit e tjerë kanë bërë shpëlarjen e këtyre parave.