Arkiv

Rrëfimet e ish-shefave të Telekomit për mosmarrëveshjet me Z-Mobile

Në Gjykatën e Prishtinës po gjykohen dy ish-kryeshefat e PTK Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi si dhe ish-kryetari i bordit të Telekomit Rexhë Gjonbalaj, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në seancën e sotme, të akuzuarit dhanë mbrojtjen e tyre për veprat që ju vihen në barrë.

Përderisa Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj u deklaruan, Agron Mustafa vendosi të mbrohej në heshtje duke qëndruar në tërësi pranë deklaratës së dhënë në polici. Mbrojtjen në heshtje, Mustafa e arsyetoi me faktin se konsideron se deri më tani nuk është vërtetuar aktakuza e dhënë nga Prokuroria.

Ndërsa Ejup Qerimi tha se ndonëse i qëndron pranë deklaratave të dhëna në polici ai ka edhe për të shtuar diçka, pasi që në polici nuk i ishte prezantuar ndonjë provë.

“Unë, provat që janë prezantuar i kam parë vetëm pasi më është ngritur aktakuza dhe tash i kam më të qarta prandaj edhe dua të plotësoj deklaratën e dhënë në polici”, tha Qerimi.

Ai tha se në pozitën e kryeshefit ekzekutiv ka qenë që nga shkurti i vitit 2012, deri në tetor të vitit 2014. Ndërsa, tha se veprimet për të cilat ngarkohet, lidhur me mosdhënien e shërbimeve të 3g dhe 4g, gjatë kësaj periudhe nuk kanë qenë farë në treg.

Ai tha se Prokuroria po e krahason atë në aktakuzë me një subjekt juridik.

Foto: Kallxo.com

“Unë jam Ejup Qerimi, nuk jam “PTK SH.A.”. Unë jam një subjekt i veçantë, “PTK SH.A.” është subjekt i veçantë, Dardafon është subjekt i veçantë, ashtu si edhe të dëmtuarit janë subjekte të veçanta”, tha Ejup Qerimi.

Ai foli edhe për borxhin e Dardafonit ndaj PTK-së. Sipas tij, pasi që PTK Sh.A. paguante qira ndaj “Monaco Telekom” për 2 milion numra, bordi kishte vendosur që të ja faturojnë Dardafon.net qiranë për 200 000 numrat që i kanë marrë në përdorim.

Ai më tutje tha se fillimisht Blerim Devolli e ka pranuar këtë borxh dhe e kanë lënë një takim tjetër që të diskutojnë lidhur me këtë, mirëpo gjërat kishin ndryshuar më vonë kur në takimin e ardhshëm nuk kishte qenë prezent edhe Blerim Devolli. Sipas tij, Milot Gjikolli filloi të kontestojë borxhin. Ai madje tha se përderisa ai ka qenë drejtor, ky borxh nuk është paguar asnjëherë.

Qerimi ndër tjerash tregoi edhe se kishin marrë vërejtje nga “Monaco Telekom” që me pas kujdes për liferimin e sim-kartelave të klientët si dhe deklaroi se PTK SH.A. në mënyrë korrekte e ka furnizuar Dardafonin me sim-kartela, në bazë të numrit të klientëve që i kanë pasur.

Mbrojtjen e tij e dha edhe ish-kryetari i bordit të Telekomit, Rexhë Gjonbalaj, i cili tha se vendimet në bord merret me votim nga anëtaret e bordit, dhe për këto vendime bordi raporton tek Qeveria të cilët kanë mundësi që të i anulojnë ato vendime, ndonëse rastet në praktike kur këto vendime anulohen janë shumë të rralla.

Ai tha se kur është paraqitur problemi i Arbitrazhit kanë njoftuar Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe kanë kërkuar mbështetje profesionale. Ndërsa për vendimin e arbitrazhit kanë njoftuar edhe Kryeministrin, në atë kohë.

Foto: Kallxo.com

Sa i përket pyetjes se a i është tërhequr vërejtja nga Milot Gjikolli se nëse nuk përmbushin obligimin çështja do të shkojë në arbitrazh, ai e mohoi të jetë e vërtetë madje tha se asnjëherë nuk është takuar me të dhe nuk ka asnjë shkresë të dërguar nga Gjikolli.

Në fund ai tha se, kjo aktakuzë është e pabazuar pa asnjë argument ligjor apo provë materiale.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Ejup Qerimi, si kryeshef ekzekutiv i PTK-së, gjatë periudhës kohore shkurt 2012 – tetor 2014, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërkaq, i pandehuri Agron Mustafa, ish-kryeshef ekzekutiv i Telekomit, nga data 19.02.2015, kur ka marrë pozitën udhëheqëse, e deri më 24.05.2017, edhe pse nuk ka qenë kompetent, kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar, nuk ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale një kompanie tjetër.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Po ashtu, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, theksohet se i pandehuri i tretë Rexhë Gjonbalaj duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare nuk ka përmbushur detyrën e tij zyrtare me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër. Aktakuza thotë se me këto veprime i pandehuri Rexhë Gjonbalaj ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Aktakuza ka të bëjë me veprimet që i paraprinë vendimit të Gjykatës dhe pastaj kontestit në Arbitrazh, e të cilat u përmbyllën me marrëveshjen në mes të Z-Mobile dhe Valës.

Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi, në kohë të ndryshme, kanë mbajtur pozitën e kryeshefit të Telekomit. Ndërsa, Rexhë Gjonbalaj ka qenë kryetar i bordit të Telekomit të Kosovës.

Blerim Devolli, pronar i kopanisë Z-Mobile, para Gjykatës kishte rrëfyer për takimet e tij me ish-krerët e Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa dhe Ejup Qerim

KALLXO.com kishte raportuar që Gjykata e Apelit kishte vendosur që ta përmbysë vendimin e Gjykatës së Prishtinës, duke i dërguar në gjykim tre të akuzuarit në rastin e Telekomit.

KALLXO.com mësoi se Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale ndaj aktvendimit të Gjykatës së shkallës së parë.

Më 27 shtator të vitit të kaluar, të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat të cilat u viheshin në barrë.

Aktakuzën ka qenë duke e përfaqësuar prokurorja speciale Florie Shamolli, ndërsa rasti është gjykuar nga gjykatësi Lutfi Shala.

Më 24 maj të vitit 2017, Telekomi i Kosovës dhe Dardafon (Z-Mobile) kishin arritur marrëveshje për përmbylljen e vendimit të Arbitrazhit rreth kontratës për operator virtual të telefonisë mobile.

Vendimi ishte paraqitur si një triumf për kompaninë pasi e lironte Telekomin nga obligimi i pagesës prej 30 milionë eurove për kompaninë Z-Mobile.

Në vitin 2016 Gjykata e Arbitrazhit kishte vendosur në favor të kompanisë Z-Mobile në kontestin me Telekomin. Vendimi krijonte obligime për të kompensuar një dëm prej 30 milionë euro.

Menjëherë pas vendimit, pushtetarët dhe njerëzit e drejtësisë kishin reaguar duke kërkuar hetime dhe përgjegjësi për këtë humbje.

Gjakrat ishin qetësuar disa muaj më vonë kur Telekomi dhe Z-Mobile u dakorduan që vendimi për pagesën e 30 milionë eurove të mos zbatohej.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht për rrjedhën e këtij gjykimi. Artikujt mund t’i gjeni në këtë link.