Rrëfimet e dëshmitarëve për kontrabandimin e migrantëve për në vendet e BE-së

Lan Selmani dhe Ramadan Fazlia, të akuzuarit për kontrabandim me migrantë, u ballafaquan me dëshmitarë në Gjykatë që Prokuroria pretendon se kanë qenë të dëmtuar.

Ata akuzohen nga Prokuroria e Gjakovës se në bashkëkryerje kanë kontrabanduar migrantë drejt shteteve të Evropës.

Në këtë rast, sipas Prokurorisë të dëmtuarit Gasper dhe Gabriel Pepaj, deklaruan se në këtë çështje nuk janë të dëmtuar, sepse asnjëherë nuk kanë tentuar që të dalin në të zezën jashtë shtetit.

Gasper Pepaj, tregoi se djali i tij Albert Pepaj kishte shkuar në Evropë në mënyrë ilegale por që për këtë gjë në fillim nuk kishte qenë në dijeni.

“Unë asnjëherë nuk jam takuar me dy të akuzuarit, as që i njoh. Djali im Alberti ka shkuar ilegalisht jashtë shtetit, por ai tashmë i ka të rregulluara të gjitha dokumentet”, deklaroi dëshmitari Gospel Pepaj.

Më pas dëshmitari Kolë Merturi, tregoi se të akuzuarin Lan Selmani e njeh nga palestra e djalit të tij, por që të njëjtin asnjëherë nuk e kishte dëgjuar të përmend shuma të parave për të dërguar njerëz jashtë shtetit.

Tutje, dëshmitari Ukë Maloku, tregoi se dy  të akuzuarit i njeh, po që nuk  kishte pasur kontakte të shpeshta me të njëjtit.

Ndërsa, dëshmitari Lëndon Hadërgjonaj- nipi i të akuzuarit Ramadan Fazlia, tha se nuk kishte dëgjuar për këto akuza dhe se nuk ishte në dijeni për rastin e as pse ishte ftuar në këtë gjykim.

Vazhdimi i këtij gjykimi u caktua për muajin tetor.

Në fillim të këtij viti, gjykata kishte obliguar prokurorinë që të bëjë përmirësimin e dispozitivit të aktakuzës.

Ky rast nuk ishte mbajtur një kohë të gjatë, sepse i akuzuari Lan Selmani nuk paraqitej në gjykatë, e ndërkohë gjykata kishte lëshuar letër-rreshtim vendor.

Sipas aktakuzës, nga muaji janar e deri në gusht të vitit 2014, janë marrë me kontrabandim të migrantëve.

Personat Fidan Mustafa, Gabriel dhe Gaspër Pepaj, Albert Pepaj, Durim Graci, Gëzim Panxhaj, Lëndon Adërgjonaj, Ukë Maloku i kanë marrë me veturë dhe disa herë me autobusë të agresioneve të ndryshme, i ka dërguar përmes Serbisë në Suboticë, e nga Subotica në Hungari, e pastaj nëpër shtete të ndryshme  evropiane, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza thotë se nga këta të dëmtuar kanë marrë shuma të ndryshme të parave nga 1 mijë e 600 euro deri në 2 mijë euro.