Rrëfimet e dëshmitarëve dhe ekspertëve për vrasjen në Marmull të Gjakovës

Për vrasjen e Tunë Bezhit në fshatin Marmull të komunës së Gjakovës, ku të akuzuar janë babë e bir, Prek Gjugja dhe Alfred Gjugja, sot u dëgjuan ekspertë e dëshmitarë.

Kjo vrasje dyshohet të ketë ndodhur si shkak i një konflikti rreth një prone.

Alfred Gjugja i akuzuar për tri vepra penale, për vrasjen e Tunë Bezhit, për vrasjen në tentativë të Anton Nikollës dhe armëmbajtje pa leje, kur kishte dalë para gjyqit nuk ishte deklaruar për akuzat që i vihen në barrë.

Këto veprime, i akuzuari Alfred Gjugja i kishte bërë në shtëpinë e Anton Nikollës, pasi që në shtëpinë e të njëjtit kishin shkuar për të biseduar rreth pronës, që në konflikt ishte familja Gjugja dhe Tunë Bezhi.

Eksperti mjeko-ligjor Musa Gashi, tregoi se në trupin e të ndjerit Tunë Bezhi kishin konstatuar dy plagë dhe se vdekja e tij rezulton nga gjakderdhja në regjionin e abdomenit.

“Predha në brendësi të abdomenit ka dëmtuar enët e mëdha të gjakut duke shkaktuar gjakderdhje të madhe të jashtme dhe të mbrendshme”, deklaroi eksperti Musa Gashi.

Gashi tha se përveq këtyre dy plagëve ishin konstatuar edhe dërmishje në të dy gjunjët, si pasojë e mjetit mbrehës.

Eksperti mjeko-ligjor Musa Gashi, tregoi se nuk përjashtohet mundësia që viktima kur ka marrë plagën kishte qenë i ulur poshtë.

Më pas, eksperti mjeko-ligjor Driton Haliti, tregoi se i dëmtuari Anton Nikolla kishte marrë plagë nga arma zjarrit në regjionin e gjurit dhe një plagë në regjionin e vetullës.

Ai tha këto plagë nuk dihet nëse janë të përkohëshme apo të përherëshme.

Ndërsa, eksperti i balistikës Lutfi Rraci deklaroi se në konstatim kishin pasur 12 gëzhoja, 1 plumb, 1 bërthamë të çelikut dhe 13 fragmente të xhaketave, pjesë të plumbit të fishekëve, 15 fishekë, 1 pushkë e gjatë automatike dhe një karikator i zbrazur i dizajnuar për pushkë automatike.

Ai tha se 12 gëzhojat janë shkrepur nga 1 armë e vetme.

Pastaj, nëna e të akuzuarit të parë Alfred Gjugja dhe gruaja e të akuzuarit të dytë Prek Gjugja, Jana Gjugja tregoi se burri i saj atë ditë kishte qenë në shtëpi në fshatin Marmull, ndërsa djali i saj në Gjakovë.

“Daja Zef ka ardhë e ka marrë burrin Prekën për me shku me bisedu te Anton Nikolla me Tunë Bezhin”, tha Jana Gjugja.

Ajo tha se djali i tij Alfredi kishte qenë brenda në shtëpi kur të tjerët ishin nisur për në shtëpinë e Anton Nikollës.

Dëshmitarja Jana Gjugja tregoi se e kishte parë djalin e saj Alfred Gjugjën duke e marrë armën në shtëpi, por i njëjti kishte dal si i habitur.

Si dëshmitar tjetër u dëgjua edhe Lekë Bezhi, kushëriu i të ndjerit Tunë Bezhi.

Ai tha se Prek Gjugja e kishte thirrë në telefon Alfredin dhe i kishte thënë hajde.

Trupi gjykues i përbërë nga kryetari Mentor Bajraktari bashkë me anetarët Besarta Doli dhe Besnik Bislimaj, caktuan datën 6 nëntor, për seancën e radhës.

Në këtë rast po akuzohen babë e bir.

Sipas aktakuzës, më 12 mars 2019, në fshatin Marmull të komunës së Gjakovës, afër shtëpisë së Anton Nikollës, i akuzuari Alfred Gjugja ka privuar nga jeta tani të ndjerin Tunë Bezhi.

Aktakuza shpjegon që pas një mosmarrëveshje pronësore që ka pasur i ndjeri Tunë Bezhi nga Martin Gjugja, vëllai i të akuzuarit Prek Gjugja, kishte blerë një parcelë toke, për të cilën tokë nuk ishte pajtuar familja e të akuzuarit.

Atë ditë në shtëpinë e Anton Nikollës, ishin mbledhur për të biseduar rreth qështjes së pronësisë, Tunë Bezhi, Zefë Kita, Lekë Bezhi dhe Prek Gjugja, mirëpo të njëjtit nuk kishin arritur marrëveshje- thuhet në aktakuzë.

Pas mospajtimit, i akuzuarit Prekë i kishte telefonuar djalit të tij Alfredit dhe i kishte treguar që nuk kishin arritë asnjë marrëveshje, e më pas i akuzuari Alfred kishte marrë pushkën automatike, me të cilën kishte gjuajtur 12 herë në drejtim të veturës së Tunë Bezhit.

Aktakuza thotë se më pas Tunë Bezhi për tu larguar nga i akuzuari Alfred, kishte dalë nga vetura por i akuzuari Alfred kishte gjuajtur në drejtim të viktimës, duke e goditur në abdomen në pjesën e poshtme, e duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Alfred Gjugja ka tentuar ta privojë nga jeta edhe të dëmtuarin Anton Nikolla, sepse i njëjti kishte tentuar ta parandalojë Alfredin, por kishte marrë një plumb në këmbën e majtë nga i akuzuari Alfred Gjugja si dhe ishte goditur me kodak të pushkës.

Aktakuza e Prokurorisë thotë se i akuzuari Alfred kishte ikur në drejtim të Rezinës dhe pas pas bisedës me Tunë Gojanin ishte kthyer në shtepinë e tij dhe pastaj ishte dorëzuar në Polici.

Ndërsa i akuzuari tjetër, Prek Gjugja, akuzohet se me dashje ka ndihmuar djalin e tij Alfredin për kryerjen e veprës penale të vrasjes.

Për Prek Gjugjën, aktakuza thotë se i njëjti të akuzuarit Alfred, i ka krijuar kushte për kryerjen e veprës, sepse i ka treguar për mos arritjen e marrëveshjes për çështjen pronësore.

Gjykata e Gjakovës në muajin mars 2019, pas aprovimit të kërkesës së Prokuroriaë, kishte lënë Alfred Gjugjajn në paraburgim.

I pandehuri Alfred Gjugja dyshohet të ketë privuar nga jeta Tunë Bezhi duke lënë të plagosur edhe Anton Nikollën, për qështje pronësore, e njëkohësisht kishte rrezikuar jetën e Zef Kitës dhe Lek Bezhit.

Ky rast kishte ndodhur për shkak të një mosmarrëveshje pronësore, pasi që Tunë Bezhi kishte blerë një tokë nga vëllau i të dyshuarit Mark Gjugja, për të cilën tokë nuk ishte pajtuar i pandehuri Alfred Gjugja.