Foto: KALLXO.com

Rrahim Hashimi: Asnjë cent s’është kërkuar apo marrë në emër të Kadri Veselit e Xhavit Halitit

I akuzuari Rrahim Hashimi ka dalë sot para gjyqit në Prishtinë për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë së Ferizajt për mashtrim.

Hashimi sot ka dhënë mbrojtjen e tij. Edhe në këtë seancë, ai u deklarua i pafajshëm.

Në këtë në seancë i akuzuari tha se të gjitha kontratat  që i ka paraqitur i dëmtuari Faton Dalladaku për të janë të falsifikuara dhe “të gjitha ato do t’i elaboroj në fjalën përfundimtare”.

“Në bazë te pretendimeve të Prokurorisë së Ferizajt, e cila ishte bazuar në trillimet e Faton Dalladakut, kinse ato para janë marrë në emër të Xhavit Halitit, pasi që atë ditë nuk është marrë asnjë cent dhe asnjëherë nuk është kërkuar apo marrë në emër të Xhavit Halitit”, tha i akuzuari.

Tutje, Rrahim Hashimi tha se në muajin janar 2012 ka pasur disa takime me Faton Dalladakun, të cilat, sipas tij, kanë qenë vetëm për shitblerjen e QKK-së, në mes të Ekrem Llukës dhe Faton Dalladakut.

“Kah mesi i janarit Fatoni më ka thënë se është përgatitur financiarisht për me rible Spitalin dhe më  ka kërku me shku e me taku Ekrem Llukën që sipas kontratave që i potencova më heret që ja kam dhënë Gjykatës si dëshmi parashihej të paguheshin 1 milion euro në datën e nënshkrimit të kontratës nga Faton Dalladaku tek Ekrem Lluka. Sa i përket asaj se disa të holla janë marrë në emër të Kadri Veselit dhe fondit “Vendlindja thërret”, të gjitha këto janë shpifje dhe të pavërteta nga Faton Dalladaku”, tha tutje Rrahim Hashimi.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurores Rukije Sheshivari, i akuzuari tha se rolin e ndërmjetësuesit e ka pasur sipas kërkesës së Faton Dalladakut që të ndihmojë në përafrimin e palëve Ekrem Lluka-Faton Dalladaku dhe për këtë me janë premtuar 500 mijë euro shpërblim.

“Kam pasur një premtim që me arritjen e marrëveshjes unë të siguroja objektin e QKK-së me kompaninë time “Code Security”, dhe në emër të paushallit për rimbursim në vend të pagesës mujore të merrja një 5% nga fitimi prej QKK-së, e gjitha kjo do të ndërlidhej edhe me bashkëpunimin në te ardhmen që parashihte Faton Dalladaku për zgjerimin e biznesit në Shqipëri dhe Maqedoni”, përfundoi i akuzuari Rrahim Hashimi.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca e sotme u ndërpre për të vazhduar më 14 shkurt.

Prokuroria e Ferizajt kishte ngritur aktakuzë në mars të vitit 2018 ndaj Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit për mashtrim.

Aktakuza thotë se prej dhjetorit të vitit 2011 e deri në korrik të vitit 2012, të akuzuarit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, së bashku me Ekrem Likën, i cili është në arrati, kanë mashtruar tani të dëmtuarin Faton Dalladaku duke u prezantuar si njerëz të afër të Kadri Veselit dhe Xhavit Halilit përmes Kadri Rexhepit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, qëllimi i prezantimit të rremë i të akuzuarve si të afërt me Kadri Veselin dhe Xhavit Halitin ishte ndërmjetësimi për blerjen e Qendrës Kardiake nga tani i dëmtuari Faton Dalladaku, duke e shtyrë atë që të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

Aktakuza thotë se atij i është paraqitur një certifikatë e pakompletuar e biznesit në të cilën rezultonte se Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lluka ishin pronarë të Qendrës për Kardiologji duke i paraqitur një kontratë në të cilën rezulton se Rrahim Hashimi ishte pronar i 20 % të aksioneve në këtë qendër ndërsa Ekrem Lluka pronar i 80 % të aksioneve.

Pasi tani i dëmtuari Faton Dalladaku ishte i bindur se ata dy janë pronarë të Qendrës për Kardiologji ka nënshkruar kontratën për blerjen e kësaj Qendre në shumë prej 290,810.00 euro.