Rojtari i pyllit pranon fajin, dënohet me burgim me kusht

Gjykata e Prishtinës e ka dënuar me dy vite burgim me kusht, rojën e pyllit në zonën e Orllanit të Podujevës, Nexhmi Selmani.

I pandehuri Selmani akuzohet nga prokuroria e Prishtinës se në cilësinë e rojës së pyllit, me 16 korrik 2020, në zonën e Orllanit-Podujevë, te fshatrat e brezit kufitar Metergovc-Sekiraqë, kishte keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.

Sipas akuzës me çekanin zyrtar me të cilin kishte qenë i ngarkuar vetëm i pandehuri, kishte mundësuar vulosjen e një sasie drunore teknike prej 8m + 6m, pa i futur fare të ndarë në dy kamionë të llojit “bung” dhe “qarr”, dhe pa e ditur fare prejardhjen e tyre se ku ishin prerë.

Kurse në dy fletë përcjellëset të Agjencisë Pyjore të Kosovës, të lëshuara nga i pandehuri në emër të këtyre drunjve, kishte evidentuar sasi të masës drunore prej 4m+4m vetëm të llojit “Ah”, të cilat të ndara në dy pjesë nga 4 metra kub në dy kamionë, njëri me transportues S.M. dhe tjetri H.Z., pasi ishin gjetur se ishin manipuluar ishin konfiskuar nga policia.

Për këto veprime, Selmani ngarkohet me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Paraprakisht në gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar ku pas leximit të aktakuzës nga prokurori Arian Gashi, i pandehuri ka deklaruar se e pranon fajësinë.

“Është e vërtetë që ato i kam vulosë në oborrin e pronarit të Q.Z., m ‘kanë pre në besë së nuk i kam njoft, jam penduar, kërkoj nga ju një dënim sa më të butë “, tha i pandehuri.

Kurse mbrojtësi i tij, avokati Mehdi Dehari, ka deklaruar se i mbrojturi i tij pranimin e fajësisë e ka bërë me vetëdije të plotë, duke i kuptuar pasojat e pranimit të fajit si dhe natyrën e veprës penale.

Dehari ka kërkuar nga gjykata që me rastin e matjes së dënimit të ketë parasysh rrethanat lehtësuese, po ashtu i ka propozuar gjykatës klientit të tij t’i ndërpritet edhe masa e arrestit shtëpiak, pasi sipas tij kishin pushuar shkaqet në bazë të të cilave ishte caktuar dhe vazhduar kjo masë.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Selmani dhe propozimi për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak ndaj këtij të fundit nuk e ka kundërshtuar as prokurori Arian Gashi.

Sipas prokurorit, pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit Selmani është bërë në mënyrë të vullnetshme dhe në mbështetje në provat që gjendet në shkresat e lëndës.

Kurse me rastin e shpalljes së aktgjykimit nga gjyqtarja e rastit Allten Murseli, i pandehuri Selmani është dënuar me burgim me kusht prej dy vjetëve, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari brenda periudhës kohore prej tre vjetëve nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Po ashtu të pandehurit i është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak.