Rikonstruktohet vendi i ngjarjes ku ishte vrarë Besart Hasani

Udhëkryqi i Ferizajt u bë i pakalueshëm të enjten e dy dhjetorit. Forca të shumta policore të pajisura me kallashnikovë, njësi të shumta hetuese, avokatë, prokurorë dhe gjyqtarë dolën në vendin e ngjarjes në të cilin tre vite më parë ishte vrarë Besart Hasani.

Nën masa të rrepta të sigurisë e i veshur me antiplumb, në vendin e ngjarjes u paraqit edhe Albert Ramadani, i akuzuari për vrasje mizore të të riut Hasani, si dhe të akuzuarit e tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Rikonstruktimi i kësaj ngjarje u udhëhoq nga kryetari i gjykatës së Ferizajt, Mustafë Tahiri, i cili njëkohësisht është edhe gjyqtar i kësaj çështje.

 

Rikonstruktimi i vendit të ngjarjes

Në vendin e ngjarjes u pyeten për rastin disa dëshmitarë, si dhe vet të akuzuarit të cilët e dhanë versionin e tyre në praninë e avokatëve dhe prokurorit të rastit.

Tre vite më parë në udhëkryqin e Ferizajt kishte mbetur i vdekur si pasojë e të shtënave, Besart Hasani.

Rrethanat të cilat kishin dërguar deri tek ky akt, sipas prokurorisë së Ferizajt ishin mosmarrëveshja rreth pagesës së borxhit të veturës “BMW X5”.

Sipas videove të rastit, Besart Hasani pasi ishte plagosur dhe rrëzuar në tokë ishte goditur për disa çaste nga disa persona të cilët sipas aktakuzës rezultojnë të jenë pjesëtarë të familjes Ramadani.

Për këtë ngjarje të rëndë Prokuroria e Ferizajt kishte ngritur aktakuzë kundër pesë personave. Albert Ramadani u ngarkua me akuzën për vrasje mizore dhe armëmbajtjeje pa leje, përderisa Artan, Fadil dhe Argjend Ramdani, ishin akuzuar për pjesëmarrje në rrahje. Pjesë e kësaj aktakuze është edhe Driton Krasniqi, i cili përpos pjesëmarrjes në rrahje akuzohet edhe për mashtrim në lidhje me blerjen e veturës “BMW X5”.

Për këtë vepër Albert Ramadani ishte dënuar me 16 vite burgim, mirëpo rasti ishte prishur nga Gjykata e Apelit e cila kishte kërkuar që çështja të gjykohej edhe një herë.

Përpos tij me burgim ishin dënuar edhe familjarët e tij të cilët pas plagosjes akuzohen se e kishin goditur Besart Hasanin.

Artan dhe Fadil Ramadani ishin dënuar me nga 2 vite burgim, ndërsa Argjend Ramadani ishte dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim.

Me burgim ishte dënuar edhe Driton Krasniqi. Atij Gjykata e Ferizajt i kishte shqiptuar 4 vite e 6 muaj burg.

Me vendimin e kësaj gjykate të pa kënaqur kishin mbetur familja e të vrarit, prokuroria e po ashtu edhe të akuzuarit.

Prokuroria dhe familja Hasani kishin parashtruar ankesë kundër këtij vendimi pasi gjykatësi Mustafë Tahiri e kishte kualifikuar veprën nga vrasja mizore në vrasje të rëndomtë e cila dënohet më pak.

Gjykata e Ferizajt e kishte kualifikuar veprën në vrasje të rëndomtë duke ia larguar vrasjen mizore me arsyetimin se viktima kishte pasur më shumë dhembje nga plumbi se sa nga goditjet pas tij.

Sipas gjykatësit Mustafë Tahiri, një vrasje mund të konsiderohet mizore kur viktima përjeton më shumë dhimbje psikike dhe fizike nga goditjet se sa nga plumbi.

Menjëherë pas këtij vendimi, prokurori kishte parashtruar ankesë me pretendimet se gjykatësi nuk e kishte marrë për bazë raportin e ekspertit i cili kishte konstatuar se viktima kishte ndier dhimbje nga goditjet edhe pasi plumbi ia kishte shqyer arterien.

Ankesa kishte parashtruar edhe i akuzuari Albert Ramadani. Ai kishte kërkuar që të lirohet nga akuza ose që lënda të kthehet në rigjykim. Të njëjtën kërkesë e kishin parashtruar edhe të akuzuarit e tjerë.

Pas këtyre ankesave me vendimin e shqiptuar nga Gjykata e Ferizajt nuk u pajtua as Gjykata e Apelit.

Apeli gjeti se ankesat e prokurorisë dhe avokatëve mbrojtës ishin të bazuara dhe se aktgjykimi i Gjykatës së Ferizajt ishte i përfshirë në një serë shkeljesh ligjore.

Sipas Apelit aktgjykimi nuk ishte përpiluar sipas kodit të procedurës penale dhe se emërtimi ligjor i veprave penale nuk përputhej me përmbajtjen e pjesës kryesore të aktgjykimit.

Apeli vlerësoi se aktgjykimit të themelores i mungonin arsyet për faktet vendimtare pasi ato ishin në kundërshtim të plotë me provat e rastit.

Për këto arsye, Apeli vendosi që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim në mënyrë që Gjykata e Ferizajt t’i eliminoj të gjitha paqartësitë.

KALLXO.com, ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast – LINK