Rigjykimit për punimet e pa kryera në Komunën e Vitisë i erdhi fundi

Florim Rama, Valdet Xoxa dhe Sami Mjaku, janë paraqitur në Gjykatën e Gjilanit për t’u përballur sërish me aktakuzën e cila u vihet në barrë nga Prokuroria.

Kujtojmë që ky shqyrtim gjyqësor ka nisur nga fillimi pasi që Gjykata e Gjilanit në maj të vitit 2019 i kishte liruar të akuzuarit në mungesë të provave, por në shtator Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim, duke pretenduar se aktgjykimi i shkallës së parë është i paqëndrueshëm dhe në kundërshtim me brendinë e tij.

Prokuroria në Gjilan e akuzon Florim Ramën se në cilësinë e menaxherit për mbikëqyrje të projekteve kapitale në Komunën e Vitisë së bashku me të akuzuarin tjetër, Valdet Xoxa, i cili ishte drejtor i konsorciumit “Kapital X & Kapital” nga Prishtina, kanë tejkaluar kompetencat e tyre.

Kompania e Xoxës, në vitin 2016, ishte kontraktuar nga Komuna e Vitisë për mbikëqyrjen profesionale të projekteve kapitale.

Sipas aktakuzës, Florim Rama e kishte firmosur një raport të Valdet Xoxës rreth një projekti të Komunës së Vitisë edhe pse të dytë e kishin ditur se kompania e ngarkuar për atë projekt nuk e kishte kryer punën.

Ky nënshkrim e kishte obliguar Komunën e Vitisë që t’ia bënte pagesën prej mbi 63 mijë euro kompanisë “Ylli Dekor” në pronësi të të akuzuarit të tretë Sami Mjaku.

Tutje sipas aktakuzës, Sami Mjaku kishte bërë prezantim të rremë të faturave kinse për punët e kryera duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën prej mbi 5 mijë euro.

Në seancën e sotme u mor në pyetje i akuzuari Sami Mjaku, i cili tha se mbetet në tërësi pranë deklaratës së tij nga shqyrtimin i parë.

“Me Komunën e Vitisë kam pasur kontratë të lidhur ku unë kam qenë pronar i Kompanisë “Ylli Dekor” dhe kontrata ka qenë në periudhën dy vjeçare. Kontrata nuk ka pasur projekt të detajuar dhe nuk i kemi pasur të caktuar lokacionet për ekzekutim të punimeve”, tha i akuzuari Mjaku.

Tutje i akuzuari tha se kanë pasur ekip të veçantë për elektricitet, ekip për zhavor dhe pjesa tjetër ka qenë finalizimi për montimin e kabëzave të betonit dhe anësoreve.

“Në kohen kur ka ardhur eksperti i ndërtimtarisë për të bërë matjet ne si kompani kemi qenë duke punuar në fshatrat Pozhoran, Ramnishtë, Sllatinë të Epërme, etj. Për punët e pa kryera nuk ka ndodhur asnjëherë të më bëhet faturimi, pasi që punimet janë kryer në disa vendpunishte në të njëjtën kohë”, tha në vazhdim i akuzuari Sami Mjaku.

Tutje në seancë prokurori Arben Kadriu, të akuzuarin Mjaku e ballafaqoi me një deklaratë të tij të cilën e kishte dhënë në Prokurori, kurse i akuzuari tha se në Prokurori nuk ka pasur avokat deri sa është marrë në pyetje.

“Gjatë ekzekutimit të punimeve kam qenë në avans diku rreth 20 mijë euro, që i bie se më shumë kam kryer punë se sa jam paguar nga Komuna. Lidhur me përgjigjet që i kam dhënë në Prokurori kam aluduar në pjesët e pa kryera në fshatin Budrikë dhe aty ka qenë shuma më pak se 9 mijë euro që kam qenë në avans me punime në krahasim me pagesën e bërë nga Komuna”, tha në fund i akuzuari Mjaku.

Në fund të seancës u dha edhe fjala përfundimtare e palëve. Prokurori Arben Kadriu kërkoi nga Gjykata dënimin e të akuzuarve pasi që sipas tij ishte vërtetuar fajësia e të akuzuarve në atë që i ngarkon aktakuza.

Kurse të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre e kundërshtuan aktakuzën edhe sot, duke kërkuar nga Gjykata lirimin nga akuza sikurse kishte ndodhur edhe në dy shqyrtimet e kaluara gjyqësore, ku të akuzuarit ishin liruar nga akuza.

Përfaqësuesi i Komunës se Vitisë, e kishte dërguar një parashtresë në Gjykatë ku kishte deklaruar se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale për të akuzuarit pasi që sipas asaj parashtrese Komuna nuk ishte e dëmtuar as edhe për një cent, andaj nuk do të paraqesin as kërkesën pasurore juridike.

Shpallja e vendimit lidhur me këtë çështje do të bëhet me datën 05 mars.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë çështje:

 

Prokuroria: i akuzuari përfitoi kundërligjshëm mbi 5.000 euro nga Komuna