Foto: KALLXO.com

Rigjykimi për vrasjen në Pejë, dënohet avokati që lëshoi sallën

Në Gjykatën e Mitrovicës sot ka filluar rigjykimi i Nimon Berishës, i cili po akuzohet për vrasjen e Isa Karagjyzit në Pejë.

Në shkurt të këtij viti, Gjykata e Mitrovicës e kishte shpallur aktgjykimin, me ç’rast e ka liruar të pandehurin nga akuza për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Kurse, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim këtë rast pas ankesës së Prokurorisë së Mitrovicës.

Mirëpo, seanca e sotme në Gjykatën e Mitrovicës nuk shkoi deri në fund për shkak se gjatë dhënies së fjalës hyrëse përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Ramë Gashi, ka lëshuar sallën e gjykimit.

E gjitha kjo erdhi si shkak i kundërshtimit të cilin e ka pasur avokati Gashi në raport me dhënien e fjalës hyrëse nga avokati Ramiz Krasniqi, mbrojtës i të pandehurit.

Gjatë dhënies së fjalës hyrëse avokati Krasniqi ndër të tjera ka përmendur aktvendimin e Gjykatës së Apelit që, sipas tij, kërkon që kjo çështje të mbyllet me aktgjykim dënues për të pandehurin.

“Para se të flas për këtë më lejoni të theksoj se dallimi në mes të ankesës së prokurorit dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit është shumë i vogël. Të gjitha pretendimet  e prokurorit në raport me arsyetimet e Gjykatës i gjeni në aktvendimin e Apelit. Gjykata e Apelit kërkon që kjo çështje të mbyllet ama jo me aktgjykim lirues por dënues, kërkon që të vërtetohet gjendja faktike e cila veç ishte vërtetuar. Apeli kërkon që të administrohen provat të cilat veç janë administruar”, tha Krasniqi.

Tutje avokati ka shtuar se nga aktgjykimi i parë ishte vërtetuar se Nimon Berisha nuk ishte kryes i kësaj vepre penale, ndërsa sipas tij në këtë rast nuk është hetuar rasti por vetë i akuzuari Nimon Berisha.

Ndaj këtyre konstatimeve ka reaguar përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Ramë Gashi.

Gashi e ka paraqitur kundërshtimin e tij para trupit gjykues me kryetar Avni Mehmeti dhe anëtarë Beqir Halili e Gëzim Ademi.

“Mbrojtësi i të akuzuarit fjalën hyrëse e filloi me thëniet se Gjykata e Apelit kërkon dënimin e të akuzuarit. Kjo Gjykatë nuk reagoi fare ndaj një konstatimi të tillë. Për më tepër mbrojtësi në fjalën hyrëse vazhdon kritikën ndaj konstatimeve të Gjykatës së Apelit. Përsëri nga kjo Gjykatë lejohet të ketë hapësirë për diçka që as nuk duhet të jetë objekt i vlerësimeve”, tha Gashi.

Në kohën kur trupi gjykues është dashur të vendosë lidhur me kundërshtimin e avokatit Gashi, ka filluar një diskutim ndërmjet kryetarit të trupit gjykues dhe avokatit, ndërsa gjykatësi Mehmeti i ka thënë avokatit të sillej konform rregullave të Gjykatës.

“Do ta shohësh tash e tutje“, tha Mehmeti.

“Po më kërcënoni me këto fjalë zotëri kryetar i trupit gjykues?“, tha avokati Gashi.

Ndërsa gjykatësi Mehmeti u përgjigj se me këtë fjali kishte dashur të nënkuptojë ndërmarrjen e masave procedurale në lidhje me sjelljen e avokatit.

Avokati ka kërkuar pauzë për t’u konsultuar me palën e tij, ndërsa kjo nuk i është lejuar nga trupi gjykues.

“E keni shumë gabim zotëri kryetar i trupit gjykues, këtë fjalë e ka përsëritur disa herë, e keni shumë gabim, e keni shumë gabim kryetar i trupit gjykues, e përserite këtë pa lejen e Gjykatës. Kryetari i trupit gjykues pastaj  e njofton avokatin se tash e tutje do të marrë masa ligjore siç parashihet me Kodin e Procedurës Penale lidhur me avokatin Ramë Gashi“, ka konstatuar gjykatësi Mehmeti.

Gjatë konstatimit të të lartcekurave në procesverbalin e seancës avokati Ramë Gashi ka lëshuar sallën e gjykimit duke thënë fjalët: “Më nuk jam përfaqësues në këtë gjykim”.

Pas kësaj seanca është ndërprerë për disa minuta.

Ndërsa trupi gjykues pas gjithë atmosferës së krijuar në Gjykatë, me t’u kthyer në seancë, ka marrë aktvendim me anë të të cilit avokati Ramë Gashi është dënuar me 500 euro gjobë për veprimin e bërë.

“Avokati Ramë Gashi, që në këtë rast ka autorizim që të përfaqësojë palën e dëmtuar, gjobitet me gjobë 500 euro të cilat obligohet t’i paguajë pasi që vendimi të bëhet i formës së prerë… Kjo gjobë ndaj avokatit shqiptohet për këto arsye: e ka penguar trupin gjykues në udhëheqjen e seancës gjyqësore, nuk iu ka bindur urdhrave të kryetarit të trupit gjykues i cili disa herë ia tërhoqi vërejtjen që të mos fliste dhe të komunikonte pa lejen e Gjykatës. Përkundër se i është tërhequr vërejtja i njëjti ka vazhduar me sjellje të njëjta, është larguar nga gjykatorja pa lejen e Gjykatës përkundër se i është tërhequr vërejtja për pasojat eventuale në rast se largohet…”, tha gjykatësi Mehmeti.

Mirëpo, Gjykata ka njoftuar se nuk e ka përjashtuar nga rasti avokatin Gashi, ndërsa ai edhe më tutje mund të vazhdojë që ta përfaqësojë palën e dëmtuar. Megjithatë, në rast se eventualisht përsërit sjelljet e tilla Gjykata do të marrë vendim sipas ligjit, premtoi gjyqtari.

Ndërsa i dëmtuari Ferid Karagjyz ka kërkuar përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues për shkak se siç tha ai ka vërejtje në udhëheqjen e seancës së sotme si dhe kërcënimin që i është bërë përfaqësuesit të tij.

Në anën tjetër, trupi gjykues ka refuzuar kërkesën e të dëmtuarit për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, me ç`rast Karagjyz ka kërkuar që të shtyhet gjykimi në mungesë të përfaqësuesit të tij.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 20 dhjetor.

Ndryshe Nimon Berisha nga Prokuroria Themelore e Pejës akuzohet se më 31 dhjetor 2014 rreth orës 06:35, në pompën e benzinës “D-Petrol” në Pejë, me qëllim të përfitimit material me pushkë automatike ka vrarë në mënyrë dinake tani të ndjerin Isa Karagjyzi, i cili ishte punëtor i pompës së benzinës.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me automjetin e tipit “Hamer” me targa amerikane kishte shkuar në këtë pompë benzine ku e kishte mbushur rezervuarin në shumën 128 euro.

Sipas aktakuzës, pasi Nimon Berisha kishte vërejtur që Isa Karagjyzi ndodhej vetëm në pompën e benzinës, kishte nxjerrë armën automatike AK 47 dhe e kishte qëlluar në gjoks me një predhë viktimën, i cili po priste që Berisha t’i bënte pagesën për karburantin.

Në aktakuzë thuhet se Isa Karagjyz kishte vdekur nga goditja me armë, ndërsa i akuzuari i kishte marrë çantën e dorës në të cilën ndodheshin 2.000 euro, duke ikur pastaj në drejtim të panjohur.

Në këtë proces gjyqësor përpos për vrasje të rëndë, Nimon Berisha akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.