Gjykimi për vrasjen në vitin 1989 FOTO-Vyrtyte Gërvalla/KALLXO.com

Rigjykimi për vrasjen e vitit 1989, dëshmon polici që kishte arrestuar të dyshuarin

Në Gjykatën e Pejës është duke vazhduar gjykimi për vrasjen e vitit 1989 kundër të akuzuarit Hasan Zenelaj.

Prokuroria akuzon Hasan Zenelaj se në bashkëveprim më vëllain e tij Selim Zenelaj kishin vrarë Zekë Ukajn.

Hasan Zenelaj ishte dënuar me 11 vite burgim për këtë vrasje, por Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.

Qerim Rama zyrtar policor dje në Gjykatë lidhur me këtë vrasje tha se e ka bërë arrestimin e njërit prej sulmuesve të viktimës.

“Një ishte në mes një para e një prapa, ai në mes nuk rrike drejtë por sikur donte ta lëshonin këmbët, duart i mbante në gjoks, këta të dytë që ishin para e mbas e goditshin me thika. Ju kom bërtite policia dhe kam tentuar të hyjë në ujë por që të dy janë larguar, ndërsa ai që ishte në mes ka ra në ujë” tha ai.

Rama tha se të dy sulmuesit kanë ikur në drejtime të kundërta, ndërsa njërin e kishte ndjekur dhe arrestuar pastaj.

Dëshmitari tha se nuk e kishte pyetur atë për identitetin e tij vetëm se e dinte që ishte nga fshati Strellc.

Prokurorja e rastit, Sahide Gashi, pati vërejtje lidhur me këtë deklarim të dëshmitarit.

“A është normale që një polic i përcaktuar për një komunitet në rastin konkret për fshatin Strellc prej nga kanë ardhur këta dy persona, dhe ju mos me ditë as identitetin e personit të cilin ju e keni arrestuar sikurse edhe identitetin e personit në arrati, pas një ngjarje kaq tronditëse” tha prokurorja Gashi.

“Një polic nuk është robot për me mbajt mend tërësinë e komunitetit, edhe për policinë njerëzit që nuk janë problematikë nuk njihen. Mundesh me punu 50 vjet e mos me i njoftë” u përgjigj dëshmitari.

Ai shtoi se për arrestimin e tij nuk ka përpiluar asnjë raport, meqenëse sipas tij nuk ishte përgjegjësi e tij.

Prokurorja pati vërejte në sjelljen e dëshmitarit për shkak sipas saj të jo seriozitetit të tij në një çështje të ndjeshme.

Sipas aktakuzës, Hasan Zenelaj në marrëveshje me tani të dënuarin Selim Zenelaj, nga hakmarrja e paskrupullt, e kanë vrarë 25 vjeçarin tani të ndjerë Zekë Ukaj.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas rrahjes që kishte ndodhur më 12 qershor të vitit 1989, mes të akuzuarit dhe vëllait të të ndjerit – Hakiut, Zenelajt e kishin përcjellë të ndjerin, ku pasi i ishin afruar nga prapa, i akuzuari Selim Zenelaj e kishte kapur për qafe me dorën e majtë, kurse me dorën e djathtë e kishte goditur me thikë në gjoks.

Dosja e Prokurorisë pretendon se i ndjeri në mbrojte e sipër së bashku me të dënuarin Selim Zenelaj, kishin rënë në kanal të ujit, e aty kishte zbritur tani i akuzuari Hasan Zenelaj.

Aktakuza thotë se derisa i dënuari Selim Zenelaj e mbante tani të ndjerin, i akuzuari e kishte goditur me thikë 16 herë në shpinë dhe pjesë tjera të trupit.

Dënohet me burg i akuzuari për vrasjen e para 30 viteve në Deçan