Rigjykimi ndaj të akuzuarit për vrasje, babai i viktimës i revoltuar pasi trupi gjykues aprovoi shtyrjen e seancës
Seanca gjyqësore ndaj Haxhi Selmanajt, i akuzuar për vrasjen e 19-vjeçarit E. K., është ndërprerë për shkak që i akuzuari nuk ishte në gjendje të jepte mbrojtjen.
19-vjeçari E. K. kishte mbetur i vdekur si pasojë e goditjes me thikë në zemër në janar të vitit 2020. I akuzuari Haxhi Selmanaj është ulur sërish në bankën e të akuzuarve për shkak që Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.
Gjatë mbajtjes së seancës, sot, datë 01.11.2024, avokati Esat Gutaj, tha se ishte informuar se i mbrojturi i tij, këtu i akuzuari Haxhi Selmanaj, është duke përdorur terapi prej tre lloje medikamentesh.
Ndër të tjera, tha se kishte qenë më mirë pasi që burgu është afër, dr. Imet Poniku të sjellë dosjen lidhur me shëndetin e të akuzuarit, dhe po ashtu të deklarohet se i akuzuari a është në gjendje që të deklarohet lidhur me rastin, marrë parasysh medikamentet të cilat është duke i përdorur.
Gjatë seancës, pas propozimit të mbrojtjes, pati reagime edhe nga pala e dëmtuar.
Babai i viktimës, reagoi me fjalët se: “Djal 19 vjet, m`ka shti në tokë… edhe po e shtyn a?’”
“Imet Ponikun e ka të familjes… unë nuk e pranoj… Jashtë sistemit tokësor me keni qitë”.
Kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha i tërhoqi vërejtjen palës.
Trupi gjykues, mori vendim me të cilin aprovoi propozimin e të akuzuarit dhe avokatit të tij Esat Gutaj.
Ndërsa, seanca e radhës u caktua për datën 29.01.2025.
Më 26.05.2021, i akuzuari Haxhi Selmanaj nga Gjykata e Prizrenit ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 20 vjet burgim, ndërsa për veprën armëmbajtje pa leje ishte dënuar me 500 euro gjobë.
Sipas Prokurorisë, Haxhi Selmanaj akuzohet se më 26.01.2020, në rrugën “Xhevat Berisha” në Prizren, ka privuar nga jeta E. K.
Aktakuza thotë se pas një mosmarrëveshje fillimisht ka ardhur deri te konflikti fizik mes të akuzuarit dhe dëshmitarit Z. K., vëllai i tanimë viktimës.
Në aktakuzë thuhet se tani i ndjeri ka qenë në market dhe kishte vërejtur se vëllai i tij ishte përfshirë në një konflikt me të akuzuarin.
Pasi ai kishte dalë dhe ishte nisur në drejtim të të akuzuarit, në një moment Selmanaj e kishte nxjerrë thikën të cilën e ka pasur me vete dhe e kishte goditur në pjesën anësore të gjoksit, në afërsi të zemrës duke i shkaktuar vdekjen viktimës E. K. dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Me këto veprime, Haxhi Selmanaj akuzohet se ka kryer veprën penale – vrasje.
Ndërsa, sipas pikës së dytë të aktakuzës, i pandehuri akuzohet se më datë, kohë dhe vend të njëjtë, pa leje valide mban në pronësi, kontroll ose posedim armën e ftohtë, në kundërshtim me Ligjin për armët dhe atë një brisk hapës me dorezë ngjyrë ushtarake, i cili është sekuestruar.
Me këtë veprim, ai akuzohet se ka kryer veprën penale – armëmbajtje pa leje.
Raportimet lidhur me këtë rast mund t’i gjeni duke klikuar këtu.