Arkiv - Ivan Todosijeviq - Ish ministër

Rigjykimi ndaj Ivan Todosijeviqit për mohimin e masakrës së Reçakut do të fillojë më 11 shkurt

Rigykimi ndaj ish-ministrit Ivan Todosijeviq, i akuzuar për nxitje të urrejtjes, do mbahet më 11 shkurt.

Kjo pasi Gjykata Supreme e prishi aktgjykimin dënues ndaj tij për mohimin e masakrës së Reçakut dhe çështjen penale e ktheu në rigjykim.

Lajmin për KALLXO.com e ka bërë të ditur Mirlinda Gashi zëdhënëse e Gjykatës së Prishtinës.

“Ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit gjyqësor lidhur me rastin e të akuzuarit I.T. është caktuar të mbahet me datë 11 shkurt 2022″, ka thënë Gashi për KALLXO.com.

Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq u dënua më 5 dhjetor 2019 për një deklaratë të dhënë në vitin 2018 me të cilën e quante “trillim” masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Në korrik të vitit 2019, Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të MAPL-së, Ivan Todosijeviq, për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes.

Sipas Prokurorisë, Todosijeviq në cilësi të ministrit, me dashje ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se Todosijeviq në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, ka thënë se masakra e Reçakut ishte trillim.

“Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, kishte thënë Todosijeviq.

Pas kësaj deklarate, kryeministri Ramush Haradinaj e kishte shkarkuar Todosijeviqin nga pozita e ministrit.