Rigjykimi ndaj ish-drejtorit të Inspektorateve Bujar Nerjovaj, shtyhet seanca për të 7-ën herë

 

Seanca gjyqësore e planifikuar të mbahej sot ndaj ish-drejtorit të Inspektorateve në Prizren, Bujar Nerjovaj është shtyrë me propozim të përfaqësues së Komunës, Florentina Çoçaj.

Përfaqësuesja Çoçaj, ka kërkuar nga trupi gjykues që kjo seancë të shtyhet me pretekstin se për rastin në fjalë ajo nuk ishte e pajisur me autorizim me shkrim nga ana e Komunës.

“Nga zyra e kryetarit të Komunës, para pak minutave jam njoftuar se duhet ta përfaqësojë lëndën në fjalë, por unë nuk kam autorizim me shkrim andaj nuk mund të deklarohem për këtë çështje”, shtoi Çoçaj.

Nën këto rrethana, në mungesë të kushteve ligjore kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani mori vendim për shtyrjen e seancës për datë 19 nëntor.

Bujar Nerjovaj, po përballet me akuza për keqpërdorim të pozitës për kohën sa ishte drejtor i Inspektoratit në Prizren.

Objekt i aktakuzës së Prokurorisë janë katër objekte hoteliere që gjenden të gjitha në zonën historike të Prizrenit, saktësisht në Shatërvan të Prizrenit.

Mirëpo, rigjykimi ndaj ish zv/ministrit të Ramush Haradinajt ishte përcjellë me shtyrje të vazhdueshme të seancave për shkak të mungesës së palës së dëmtuar, përfaqësuesit të Komunës së Prizrenit.

Për këtë çështje, kryetari i trupi gjykues Osmani me 29 janar 2021 konstatoi se Gjykata i ishte drejtuar Kryetarit Haskuka që në rastin konkret të caktojë një zyrtar ligjor që rregullon përgjegjësitë, kompetencat dhe autorizimet e Drejtorit të Inspektoriatit në nivel komunal si dhe caktimin e një zyrtari komunal nga Drejtoria kompetente.

Mirëpo, në përgjigjen e kthyer nga kryetari i komunës Mytaher Haskuka një gjë e tillë nuk ishte bërë pasi që kishte konsideruar se nuk kishte kompetencë.

Komuna nuk caktoi përfaqësuesin ligjor, Prokuroria mund të ndjekë penalisht Mytaher Haskukën

Nerjovaj, me datë 3 qershor 2019 ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht por Apeli lëndën e tij e kishte kthyer në rigjykim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së datës 30 tetor 2018, Bujar Nerjovaj, si drejtor i Inspektoratit, akuzohet se si person zyrtar me mosveprim duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se Nerjovaj, gjatë periudhës 2011-2013, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.

Sipas aktakuzës, objektet janë ndërtuar pa leje apo në kundërshtim me lejet e dhëna, të gjitha këto të ndërtuara në Zonën e Parë të Qendrës Historike në Prizren, me ç‘rast është dëmtuar trashëgimia kulturore e arkitektonike e Qendrës Historike të Prizrenit si dhe për shkak të mos pagesës së detyrimeve, është dëmtuar buxheti i Komunës së Prizrenit për 36,143.00 euro.

Me këtë, Nerjovaj akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Lidhur me këtë aktakuzë, Gjykata e Prizrenit, më 3 qershor 2019, e kishte shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ish-drejtorin Bujar Nerjovaj dhe atë e kishte gjykuar me gjashtë muaj burgim me kusht.

VIDEO – Dënohet Zëvendës-Ministri i Haradinajt

Por, rasti është kthyer në rigjykim, pas ankesës së avokatit mbrojtës Blerim Mazreku, i cili kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit, rigjykim apo lirimin nga akuza së të mbrojturit të tij.