ARKIV – Gani Geci, i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit - Foto: KALLXO.com

Rigjykimi ndaj Gani Gecit pritet të vazhdoj sot

Sot në gjykatën e Mitrovicës pritet të vazhdoj gjykimi ndaj Gani Geci. Ai nga prokuroria akuzohet për vrasjen e tani të ndjerit Ruzhdi Shaqiri, vrasje kjo e cila sipas prokurorisë kishte ndodhur me katër gusht 2014 në Skenderaj.

Gjykimi në shkallë të parë ndaj Gecit kishte përfunduar me tre qershor 2016, me shpalljen e aktgjykimit ndaj tij, ku ai për veprën penale “Vrasje” ishte dënuar me 4 vjet burg.

Po ashtu Geci akuzohet edhe për veprën penale armëmbajtje pa leje dhe përdorim i armës. Për këtë të fundit prokuroria është tërhequr nga ndjekja penale.

Për armëmbajtje pa leje sipas vendimit të shkallës së parë nga gjykata Geci ishte dënuar 10 muaj burgim. Ndërsa për veprën penale përdorim i armës gjykata e kishte liruar Gecin nga akuza, duke u arsyetuar se kjo vepër është konsumuar në dënimin për vrasje.

Sipas vendimit të atëhershëm të gjykatës Gecit në dënim unik do t`i llogariteshin katër vjet e gjysmë burgim.

Mirëpo ky vendim i gjykatës nuk ishte zbatuar asnjëherë për shkak se nuk kishte arritur të marr formën e prerë, pas ankesave të cilat i kishin bërë në Gjykatën e Apelit prokurori i EULEX-it dhe mbrojtësi i të akuzuarit avokati Ndrecë Dodaj, ankesa këto të cilat ishin marr për bazë nga gjykata e Apelit.

Kurse me aktvendimin e 26 shtatorit 2017, sa i përket pikës një (vrasje) dhe pikës dy (armëmbajtje pa leje) rasti është kthyer në rigjykim.

Rigjykimi ndaj Gecit ka filluar me 30 Mars të këtij viti në gjykatën e Mitrovicës.

Akuza e prokurorisë

Sipas akuzës së prokurorisë e cila ishte ndryshuar me 1 Prill, Gani Geci akuzohet se me katër gusht 2014 në Skenderaj saktësisht në ballkonin e kafeterisë “N’Qosh”, kishte privuar nga jeta, tani të ndjerin Ruzhdi Shaqiri.

Akuza e prokurorisë thotë se kjo kishte ardh si rezultat i një konflikti të më hershëm të datës 19.10.2001 për plagosjen e Gecit dhe vrasjen e dy gazetarëve Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku.

I pandehuri ishte duke dal nga brendësia e kafeterisë dhe po shkonte në drejtim të sheshit bashkë me Zijadin Gecin, përderisa tani i ndjeri Ruzhdi Shaqiri ka qenë bashkë me personat Sh.K., N.K., S.H., E.J., A.R., B.M., dhe E.L., të gjithë këta sipas akuzës kishin qenë të ulur në një tavolinë në anën e djathë të ballkonit, duke u futur nga hyrja në lokal.

Derisa tani i pandehuri Geci ishte ne shkallët e fundit të  dalje nga lokali dhe kishte hedhur shikimin në drejtim të sheshit, papritmas kishte dëgjuar fjalët “Selam Alejkum”, thuhet në akuzën e prokurorisë.

Në atë moment Geci kishte ndalur dhe ishte kthyer nga drejtimi prej nga kishte dëgjuar fjalët dhe sheh Ruzhdi Shaqirin i cili sipas akuzës kishte ngritur dorën e djathtë lartë në ajër dhe pastaj i pandehuri shkon në drejtim të viktimës dhe ballafaqohet me të nga një distancë afërsisht një metër.

Gjithnjë sipas akuzës i pandehuri të ndjerit Shaqiri i ishte drejtuar me fjalës “A i ke mbledhur pleqtë për tu betuar se ku ke qenë rreth orës 19:10 “.

Aty kishte filluar sherri kur Shaqiri kishte shtyrë tavolinën me këmbën e tij të majtë duke ia kthyer Gacit “Zhduku, P…N.., unë nuk ta kam frikën, nxirre dhe gjuaj “, thuhet në akuzë.

Derisa ishte duke thënë këto fjalë Ganiu po ashtu fillon të ngitet dhe dorën e djathtë e drejton pas shpine dhe me këtë rast i pandehuri është ndier sipas akuzës i ofenduar dhe i kërcënuar nga viktima Shaqiri, dhe kishte nxjerr revolen duke shtënë katër herë në drejtim të viktimës.

Nga plagët e marra Ruzhdi Shaqiri vdesë rrugës për në spitalin e Mitrovicës.