ARKIV – Gani Geci, i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit - Foto: KALLXO.com

Rigjykimi ndaj Gani Gecit – Jep dëshminë pronari i lokalit “N’Qosh”, vendi ku ndodhi vrasja e Ruzhdi Shaqirit

Në Gjykatën e Mitrovicës sot ka vazhduar seanca e tretë e rigjykimit ndaj Gani Gecit, i akuzuar për vrasje e Ruzhdi Shaqirit në vitin 2014-të në Skenderaj.

Gjatë seancës së sotme janë ridëgjuar edhe tre dëshmitarë, në mesin e tyre edhe pronari i kafeterisë “ N’Qosh“, vendi ku kishte ndodhur vrasja.

Dëshmitari Visar Behrami, ka konfirmuar përsëri para gjykatës se i akuzuari Gani Geci kishte qenë prezent ditën e ngjarjes në kafeterinë e tij.

Ndërsa dëshmitari tjetër Emin Lati, miku i vëllait të Gecit, ka thënë se tashmë i akuzuari kishte dal nga lokali dhe ishte nisur në drejtim të sheshit, e më pas ishe ndal pasi kishte dëgjuar përshëndetjen “Selam Alejkum”, të cilën ia kishte bërë tani i ndjeri Ruzhdi Shaqiri.

“Gania del prej kafes, edhe shkon drejtë me dal drejtë sheshit… Jo nuk është përshëndetë, Ruzhdia e ka përshëndetë i pari, i ka thënë “ Selam alejkum”, Gania ka qenë në shkallë u ndal, edhe prej se largu i ka thënë a i ke tubu njerëzit me bo be për një telashe që kanë pasur me herët. Kanë shkëmbyer disa fjalë, Gania u afrua i ka thanë me mi tubu njerëzit shpejt me bo be, e ka qu dorën Ruzhdia i ka thënë hajt se shihum, atëherë Gania e ka qit dorën në allti“, tha dëshmitari.

Kurse prokurori Naim Beka e ka pyetur dëshmitarin Lati, për momentin kur i pandehuri kishte zbrazur armën në drejtim të të ndjerit.

“Sa me kujtohet jam çu në këmbë u kam hy në mes i kam thënë Gani jeni bo si fëmija edhe Gania e ka lëshu revolen apet, edhe ky i ka thënë qit të p… në të, edhe qysh i ka pasur duar mbi tavoline Ruzhdia e ka leshu njërën dorë poshtë të brezi, dorën e djathtë, të majtën e ka pasur përmbi tavolinë, edhe kur i ka thënë që të p…në të shishja u rrezu në tavolinë edhe tani Gania ka reagua ai dorën e ka lëshu poshtë, edhe tash unë jam çu në këmbë për me ju hy edhe një herë në midis me i nda u rrezu shishja ka kërsit alltia“, tha dëshmitari.

Tutje dëshmitari tha se për sa i kujtohej atij kishte dëgjuar dy krisma, ndërsa distanca ndërmjet të vrarit Shaqiri dhe të akuzuarit Geci kishte qenë rreth një metër.

Gjatë kësaj seance u dëgjua edhe dëshmitari Ermal Jusufi, i cili ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë deklaratave të dhëna me herët, ndërsa nuk ka dhënë shumë detaje.

Ai ka thënë se nuk kishte dëgjuar mirë se çfarë kishin folur i ndjeri me të akuzuarin.

“Nuk i kam dëgjuar mirë, por Gania i ka thënë me m’bo be ku je kon me një datë e cila nuk po me kujtohet“, tha dëshmitari.

Rigjykimi ndaj Gecit ka filluar me 30 Mars.

Seanca e stome është shtyrë, kurse e radhës është caktuar të mbahet me 20 prill në Gjykatën e Mitrovicës, ku pritet të dëgjohen dëshmitarë të tjerë.

Sipas akuzës së prokurorisë e cila ishte ndryshuar me 1 prill, Gani Geci akuzohet se me katër gusht 2014 në Skenderaj saktësisht në ballkonin e kafeterisë “N’Qosh”, kishte privuar nga jeta, tani të ndjerin Ruzhdi Shaqiri.

Akuza e prokurorisë thotë se kjo kishte ardhur si rezultat i një konflikti të mëhershëm të datës 19.10.2001 për plagosjen e Gecit dhe vrasjen e dy gazetarëve Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku.

I pandehuri ishte duke dal nga brendësia e kafeterisë dhe po shkonte në drejtim të sheshit bashkë me Zijadin Gecin, përderisa tani i ndjeri Ruzhdi Shaqiri ka qenë bashkë me personat Shani Koca, Nehat Koca, Sinan Hajrizi, Ermal Jusufi, Afrim Rama, Blerim Musliu dhe Emin Lati, të gjithë këta sipas akuzës kishin qenë të ulur në një tavolinë në anën e djathë të ballkonit, duke u futur nga hyrja në lokal.

Derisa tani i pandehuri Geci ishte në shkallët e fundit të dalje nga lokali dhe kishte hedhur shikimin në drejtim të sheshit, papritmas kishte dëgjuar fjalët “Selam Alejkum”, thuhet në akuzën e prokurorisë.

Në atë moment Geci kishte ndalur dhe ishte kthyer nga drejtimi prej nga kishte dëgjuar fjalët dhe sheh Ruzhdi Shaqirin i cili sipas akuzës kishte ngritur dorën e djathtë lartë në ajër dhe pastaj i pandehuri shkon në drejtim të viktimës dhe ballafaqohet me të nga një distancë afërsisht një metër.

Gjithnjë sipas akuzës i pandehuri të ndjerit Shaqiri, i ishte drejtuar me fjalët “a i ke mbledhur pleqtë për t’u betuar se ku ke qenë rreth orës 19:10”.

Aty kishte filluar sherri kur Shaqiri kishte shtyrë tavolinën me këmbën e tij të majtë duke ia kthyer Gacit “zhduku, p…n.., unë nuk ta kam frikën, nxirre dhe gjuaj”, thuhet në akuzë.

Derisa ishte duke thënë këto fjalë Ganiu po ashtu fillon të ngritë dorën e djathtë, e drejton pas shpine dhe me këtë rast, i pandehuri është ndier, sipas akuzës i ofenduar dhe i kërcënuar nga viktima Shaqiri, dhe kishte nxjerr revolen duke shtënë katër herë në drejtim të viktimës.

Nga plagët e marra Ruzhdi Shaqiri vdes rrugës për në Spitalin e Mitrovicës.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.