Foto: Kallxo.com

Rigjykimi i ish-kryetarit të BSPK-së: Mungon eksperti financiar, dështon seanca

Mungesa e ekspertit financiar në rolin e dëshmitarit ka bërë që të anulohet seanca e sotme e rigjykimit ndaj ish-zyrtarëve të lartë të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Ish-kryetari Bahri Shabani, ish-përgjegjësi për financa Rrahman Emini dhe vozitësi Sami Rrahmani janë duke u akuzuar nga Prokuroria në Prishtinë për përvetësim të mjeteve financiare gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Aktakzua ndaj tyre qe ngritur në vitin 2014 ndërsa dy vjet më vonë, Gjykata e Prishtinës i shpalli fajtorë që të tre të akuzuarit.

Kësisoj, Bahri Shabani u dënua 2 vjet burg, dënim i cili dënim nuk ekzekutohet nëse brenda periudhës 2 vjeçare nuk kryen vepër tjetër penale.

I akuzuari i dytë, Rrahman Emini u dënua me 1 vit e 6 muaj i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse nuk kryen vepër penale brenda 2 viteve.

Ndërsa i akuzuari tjetër Sami Rrahmanit u dënua me një vit burg, por edhe ndaj dënimi nuk do të ekzekutohej nëse ai nuk kryen vepër brenda 2 viteve.

Por në qershor të vitit 2017, Gjykata  e Apelit aprovoi ankesat e mbrojtëseve të të akuzuarve dhe e anuloi verdiktin e Gjykatës Themelore duke e kthyer rastin në rigjykim.

Apeli kishte gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë ishte i paqartë dhe i pakuptueshëm sepse aty përmendeshin shumat prej 11.550 euro, 7.060,20 euro, pastaj shuma 5.000 euro kështu që Apeli nuk e kuptoi shumën e përgjithshme të cilën të akuzuarit dyshohej se e kishin përvetësuar.

Për seancën e sotme, eksperti financiar Riza Blakaj kishte paralajmëruar se nuk do të mund të ishte i pranishëm prandaj kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra konstatoi se  nuk u plotësuan kushtet ligjore për mbajtjen e kësaj seance.

Seanca e radhës është caktuar për datën 16 shtator 2019.

Avokati Ali Latifi për KALLXO.com tha se kjo seancë u shty për shkak të mospërfilljes së kërkesave të palëve nga ana e gjykatës sepse eksperti, sipas tij, në seancën e mbajtur më 1 korrik kishte thënë se nuk do të mund të në seancën e sotme.

“Por ktu shkon kështu. Çka thotë gjyqtari duhet me u ba”, tha avokati Latifi.

Shabani, Emini dhe Rrahmani akuzohen për përvetësim të parave të BSPK-së, të alokuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në vitin 2005.

Aktakuza thotë se pas marrëveshjes paraprake, duke vepruar sipas urdhrit të akuzuarit Bahri Shabani, Rrahman Emini në nëntor të vitit 2005 ka tërhequr nga arka si huazim për MPMS shumën prej 11.500 euro të cilat i kishte pranuar Sami Rrahmani e për të cilat nuk ka pasur kontratë-bazë në MPMS.

Sipas aktakuzës, këto para ishin përvetësuar duke e mbyllur arkën e datës 28.09.2006 në emër të kthimit të huazimit  të MPMS e që në bazë të llogarisë kombëtare të BSPK-së  të datës 28.09.2008 kjo shumë figuron si subvencion nga MPMS-ja për BSPK-në në emër të përgatitjes së kongresit të 4 të BSPK.

Sipas aktakuzës, tërheqja në vlerë prej 7,060 euro është bërë nga i akuzuari Rrahman Emini në emër kinse të kthimit të huazimit për ndërmarrjen private “Agro Llapi” ndërsa duke iu referuar një kontrate inekzistente në janar 2006 është bërë tërheqja e mjeteve në shumë prej 5.536,60 euro në emër gjoja të kthimit të huazimit për ndërmarrjen e njëjtë.

Ndërsa Bahri Shabani akuzohet se në dhjetor 2004, në emër të BPSK-së, kishte marrë kredi suazore në një bankë në Prishtinë në shumë prej 5.000,00 euro të cilat, sipas aktakuzës, i kishte shfrytëzuar për nevoja personale. Ai kredinë e kishte kthyer deri në vitin 2007 pasi kishin filluar hetimet lidhur me këtë çështje penale për dëmin që i është shkaktuar BSPK-së, thuhet në aktakuzë.