Arkiv

Përmbajtja e deklaratës së Valdet Kelmendit të vrarë për konfliktin e familjeve Elshani dhe Kelmendi

Nata e festës së vitit të ri në njërën nga diskotekat e Pejës do t’i kthehej në tragjedi Valdet Kelmendit.

Kelmendi u plagos më 2 janar të vitit 2010 gjatë një gjuajtje me armë brenda diskotekës që la tre të plagosur dhe një të vdekur.

Për këtë incident po gjykohet Granit Elshani për të dytën herë, nga Gjykata e Pejës. Herën e parë, i akuzuari për vrasje ishte dënuar me 25 vjet burg, mirëpo Gjykata e Apelit vendosi që për këtë rast të vendoset sërish.

Sipas prokurorisë, natën kritike Granit Elshani e kishte shënjestër të vrasjes  Valdet Kelmendin por vrau Besart Shabin që kishte qëlluar afër tij.

Përpos këtyre dyve, sipas prokurorisë, atë natë lëndime kishin pësuar edhe persona të tjerë që ishin mbledhur për të festuar, ndër ta edhe zyrtari policor Hasan Buqaj.

Sot në seancë gjyqësore u lexuan deklaratat e Valdet dhe Shefqet Kelmendit të dhëna në polici dhe prokurori.

“Në këtë moment kam dëgjuar të shtëna, e kam ndjerë një dhimbje në krahun e majtë. Trupi i Kaqës (person i paidentifikuar), më ra në gjoksin tim dhe unë kam shikuar nga po vinë këto të shtëna dhe e kam vërejtur një person të ri 20-25 vjeçar dhe ka qenë biond, flokët e shkurta e ka qenë i gjatë, në fytyrë i zbehtë” kishte deklaruar Kelmendi duke përshkruar momentet kritike të datës 2 janar 2010.

Valdeti ishte vrarë pas disa vitesh pas të shtënave të tjera në qytetin e Pejës ndërsa ende nuk është zbuluar se kush është dorasi.

Ai kishte deklaruar se Granit Elshanin e njeh pasi qe kanë qenë  në shkolle të mesme bashkë por meqenëse ka me shumë se 8 vite qe nuk e kishte parë  nuk mund të thotë se ai ka qenë personi qe ka shtënë me armë sepse ka pasur kapele në kokë.

Ndërsa Shefqet Kelmendi kishte deklaruar se nuk e di kush qëndron prapa incidentit duke  shtuar se nuk kanë pasur ndonjë konflikt qe mund të veçohet.

Në lidhje me incidentin sot në gjykatë u dëgjua si dëshmitar edhe Zenel Zeneli i cili ka qenë prezent në diskotekën ku kishte ndodhur ngjarja.

Zeneli ishte punëtor sigurimi në diskotekën “City Club” por në natën kritike aty nuk ishte në detyrë të punës.

Dëshmitari rrëfeu para trupit gjykues se natën e 2 janarit të vitit 2010 një person kishte hyrë në diskotekë me dy revole duke shtënë me to.

“Atmosfera ka qenë e mirë deri në momentin kur ka hi ai person me dy revole, unë kam dëgjuar krisma dhe të gjithë kemi qenë për tokë nga frika” tha ai.

Sipas dëshmitarit ai nuk ka arritur të identifikoj personin që ka shtënë me armë.

“Një person i gjatë, e di qe e ka pas një jakne me të gjatë nëse nuk gaboj” e përshkroi dëshmitari atë person.

Ai deklaroi se armët qe i ka pas personi në dorë kanë qenë një e bardhë dhe një e zezë.

Dëshmitari Zeneli shtoi se kishte dëgjuar se atë natë ishte plagosur “Kaqa”, Lara Kelmendi dhe një polic.

Mbrojtja e të akuzuarit nuk kishte pyetje as vërejte për dëshmitarin.

Prokurori i rastit Afrim Shefkiu mbeti pranë propozimi të prokurorit të EULEX-it për dëgjimin e 25 dëshmitarëve ku një numër i madh i tyre janë dëgjuar.

Trupi gjykues aprovoi propozimin e mbrojtjes qe dëshmitë e dëshmitarëve Besiana Spahija, Skifter Beqiraj, Kushtrim Klementa, Edona Muhaxheri, Valdet Kelmendi dhe Shefqet Kelmendi qe janë dhënë në procedurën paraprake të lexohen.

Po ashtu u aprovua propozimi i mbrojtjes që të ftohet eksperti mjekoligjor të cilit në shqyrtim kryesor do ti prezantohen dëshmitë-raportet mjekësore dhe propozimi i mbrojtjes qe në cilësinë e dëshmitarit të ftohet Florim Shabi dhe Besim Hasanaj.

Ndërsa u refuzua propozimi i mbrojtjes qe të ftohet për deklarim eksperti i AKF-së, përpiluesi i raportit për imazhet dhe video incizimet.

Prokurori Shefkiu tha se mostrat e pështymës të marra nga i akuzuari Granit Elshani, në bazë të dokumentit që ia prezantoi Gjykatës, janë marrë në mënyrë vullnetare nga Granit Elshani.

Shefkiu shtoi se ato nuk janë dërguar në ekzaminim të AKF sepse ish- prokurori i EULEX-it nuk i ka dërguar në ekzaminim, ndërkaq tha se nëse mbrojtja e konsideron relevante ekzaminim e kësaj deklarate ai nuk e kundërshton.

Mbrojtësja e të akuzuarit Granit Elshani, avokatja Kosovare Kelmendi, lidhur me këtë çështje, deklaroi se nuk ka ndonjë interes qe të bëhet ekspertiza e ADN por  që ajo ka ngritur në dyshim faktin se pse është marrë mostra kur prokurori nuk ka pasur interesim të bëjë ekspertizë të ADN-së.

Seanca e radhës mbahet me datë 21 shkurt 2020.

Sipas aktakuzës së ngritur ndaj Granit Elshanit për rastin e ndodhur natën e 2 janarit 2010 në diskotekën “City Club”, pretendohet se i akuzuari Granit Elshani kishte hyrë në këtë diskotekë dhe me dy revole të tipit “TT” kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendi.

Siç përshkruhet në aktakuzë, natën kritike Granit Elshani shënjestër të vrasjes kishte anëtarin familjes Kelmendi, Valdetin, por fat të keq kishte Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër tij.

Për këto pretendime në maj të vitit 2018 Gjykata e Pejës e gjeti fajtor Granit Elshanin dhe e dënoi me 25 vjet burgim.

Mirëpo vendimi i Themelores nuk e mori aprovimin e Gjykatës së Apelit, pasi ajo vendosi që këtë çështje ta kthejë në rigjykim, raporton KALLXO.com.

Gjykata e Apelit ka konstatuar se secili nga dëshmitarët e ka përshkruar në mënyra të ndryshme pamjen e personit i cili ka shtënë me armë, andaj me qëllim që të eliminohen këto paqartësi Apeli ka kërkuar që ky rast të gjykohet edhe një herë.

Dëshmia e policit: Granit Elshanit ia gjeta revolen nën jastëk