Ricilësohet aktakuza në fund të gjykimit ndaj ish policëve të akuzuar për keqpërdorim të detyrës

Gjykimit të ish policëve Hasip Kiki, Bekim Sylejmani, Samet Ballazhi dhe të tjerë që ishin të akuzuar për krim të organizuar iu afrua fundit.

Gjatë seancës prokurori i rastit Haki Gecaj në fjalën e tij përfundimtare tha se nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën e krimit të organizuar.
Andaj, Gecaj e ricilësoi veprën “Të akuzuarit Imer Azemi, Kadri Kurtishi, Bujar Loku, Ramadan Topojani, Tahir Curri, Kadri Kameri, Nazmi Kalisi dhe Xhemail Ramushi akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën e kontrabandimit me mallra”.

Qerim Kurtishi, Bajram Rexhepi akuzohen për shmangie nga tarifa doganore.

Imer Azemi, Kadri Kurtishi akuzohen se në bashkëkryerje dhe vazhdimësi kanë kryer veprën e dhënies së ryshfetit ndërsa Bujar Loku poashtu në bashkëkryerje për dhënie ryshfeti.

Tutje Hasip Kiki dhe Bekim Sylejmani, Samet Ballazhi, tani akuzohen secili veç e veç për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe në bashkim real marrje ryshfeti.

Nexhat Gashi, Gani Shabani dhe Agron Krasniqi, secili veç e veç për kontrabandim të mallrave dhe shmangie nga tarifat doganore.

Ndërsa Naser Lamallari dhe Izair Aliji akuzohen se secili veç e veç për shmangie nga tatimi.

Tutje në seancë për të akuzuarit Gani Shabani, Agron Krasniqi dhe Nexhat Gashi, trupi gjykues konstatoi se janë parashkruar veprat penale të cilat u viheshin në barrë.

Lidhur me veprat e ricilësuara të gjithë të akuzuarit e mbetur u deklaruan të pafajshëm.

Mbrojtësit e të akuzuarve i paraqitën fjalët e tyre përfundimtare dhe i propozuan gjykatës që të akuzuarit të lirohen.

Kujtojmë se Prokuroria Speciale e Kosovës më 15 maj 2014 kishte ngritur aktakuzë ndaj tre zyrtarëve policorë: Hasip Kikit, Bekim Sylejmanit, Samet Ballazhit, si dhe të tjerë për krim të organizuar në lidhje me kontrabandimin e mallrave nga Maqedonia e Veriut në Kosovë dhe në Serbi.

Sipas kësaj aktakuze, në krye të këtij grupi kriminal qëndronin Imer Azemi, Qerim Kurtishi dhe Kadri Kurtishi, të cilët kishin themeluar grupin kriminal me qëllim të kontrabandimit dhe eksportimit te mallrave në Kosovë, Serbi dhe anasjelltas.

Qerim Kurtishi sipas Prokurorisë ka menaxhuar kontrabandimin e mallrave me personat e tjerë, ndërsa zyrtarët policorë Hasip Kiki, Bekim Sylejmani dhe Samet Ballazhi si zyrtarë policorë u kanë mundësuar të pandehurve që t’i transportojnë lirshëm këto mallra pasi kishin marre ryshfet.

Ndër të akuzuar në këtë rast ishin edhe Isuf Ljamalari, Bahtir dhe Bejtush Gashi, por ndaj tyre ishte veçuar procedura.

Aktakuza e PSRK-se përshkruan se Imer Azemi dhe Kadri Kurtishi kanë bërë organizimin e mallit me transport në Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Serbi, ku më pas kanë bërë shitblerjen e mallit, duke e marrë me qira dhe duke e dërguar ne kompanitë në Prishtinë dhe Ferizaj.

Tutje në aktakuzë thuhet se polici Kiki në vitin 2013 e kishte mashtruar eprorin e tij kinse prokurori kujdestar në Ferizaj urdhëroi që Imer Azemin dhe Qerim kurtishin t’i marrë në pyetje si dëshmitarë e jo si të dyshuar për kontrabandim të mallit. Për shërbimet e tij Kiki sipas aktakuzës kishte marrë tre libra një telefon dhe pagese mujore të kabllovikut.

Kjo aktakuzë tani më është ndryshuar si në ricilësimin e prokurorit të tanishëm të rastit Haki Gecaj i cili pretendon se të akuzuarit veprën e kanë kryer në bashkëkyrerje dhe vazhdimësi e disa prej tyre secili veç e veç.