Reperi gjilanas e pranon fajësinë për vrasje në tentativë dhe armë pa leje

I akuzuar për vrasje në tentative dhe armë mbajtje pa leje, reperi nga Gjilani Ardian Xhaferi, i njohur si ‘Majklli’, ka dalur para gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me akuzën e ish Prokurorisë së qarkut të Gjilanit.

Aktakuza ndaj Ardian Xhaferit, Burim Osmanit dhe Besnik Fejzullahut, e ngritur më 03.09.2012, akoma nuk ka marrë epilog përfundimtar pasi Gjykata e Gjilanit nuk ka arritur të siguroj të akuzuarit e tjerë në procedurë.

Kurse në seancën e sotme lënda ndaj të akuzuarit Ardian Xhaferi u veçua dhe pas leximit të aktakuzës nga prokurori Agron Uka, i akuzuari tha se e pranon fajësinë.

“E pranoj fajësinë për veprën penale të armë mbajtjes pa leje dhe vrasje në tentativë. Kërkoj nga Gjykata që të më shqiptoj një dënim sa më të butë”, tha i akuzuari Xhaferi.

Kujtojmë se kjo lëndë është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, për shkak të rikualifikimit të veprës penale, nga vrasje e rëndë në tentativë në vrasje të rëndomtë në tentativë. Andaj tani i akuzuari Xhaferi do të gjykohet për vrasje të rëndomtë në tentativë.

Sipas aktit akuzues, të ngritur më 03.09.2012, i akuzuari Ardian Xhaferi, në Gjilan ka tentuar ta privoj nga jeta Burim Osmanin duke e rrezikuar edhe jetën e personave të tjerë të cilët ishin prezent në vend të ngjarjes. Aktakuza thotë se i akuzuari ka shtënë  me armë zjarri në drejtim të Burim Osmanit.

Gjithashtu sipas ish Prokurorisë së atëhershme të Qarkut në Gjilan, i akuzuari Xhaferi ka bartur edhe armë pa leje prej kohës së pa vërtetuar e deri kur është kapur nga policia dhe arma i është konfiskuar.

Shpallja e vendimit për këtë rast do të bëhet më 07 shtator.

Ndryshe, i akuzuari Xhaferi ditë më parë në një emision televiziv, kishte deklaruar se ka disa vepra penale aktive në Gjykatën e Gjilanit, kurse për disa të tjera tashmë ishte dënuar.