Reperi gjilanas dënohet me burgim për tentim vrasje e armë pa leje

I akuzuar për vrasje në tentativë dhe armë mbajtje pa leje, reperi nga Gjilani Ardian Xhaferi, i njohur si ‘Majklli’, është gjetur fajtor dhe është dënuar nga Gjykata e Gjilanit.

Xhaferi, për vrasje në tentativë është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 1 viti, kurse për armë mbajtje pa leje është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 180 ditësh.

Kurse dënimin unik, Gjykata e Gjilanit të akuzuarit Ardian Xhaferi i ka caktuar 1 vit e 4 muaj, të cilin dënim do ta vuaj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Ardian Xhaferi, akuzohet nga ish Prokuroria e atëhershme e Qarkut në Gjilan për vrasje në tentative dhe armë mbajtje pa leje.

Kujtojmë se aktakuza ndaj Ardian Xhaferit, Burim Osmanit dhe Besnik Fejzullahut, ishte ngritur më 03.09.2012 dhe akoma nuk ka marrë epilog përfundimtar pasi Gjykata e Gjilanit nuk ka arritur të siguroj të akuzuarit e tjerë në procedurë.

Në seancën e së premtes lënda ndaj të akuzuarit Ardian Xhaferi u veçua dhe pas leximit të aktakuzës nga Prokurori Agron Uka, i akuzuari tha se e pranon fajësinë.

“E pranoj fajësinë për veprën penale të armë mbajtjes pa leje dhe vrasje në tentative. Kërkoj nga Gjykata që të më shqiptoj një dënim sa më të butë”, pati thënë i akuzuari Xhaferi.

Lënda ndaj Ardian Xhaferit, Burim Osmanit dhe Besnik Fejzullahut, ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, për shkak të rikualifikimit të veprës penale, nga vrasje e rëndë në tentativë në vrasje të rëndomtë në tentativë. Andaj tani i akuzuari Xhaferi u dënua për vrasje të rëndomtë në tentativë dhe armë mbajtje pa leje.

Sipas aktit akuzues, të ngritur më 03.09.2012, i akuzuari Ardian Xhaferi, në Gjilan ka tentuar ta privoj nga jeta Burim Osmanin duke e rrezikuar edhe jetën e personave të tjerë të cilët ishin prezent në vend të ngjarjes. Aktakuza thotë se i akuzuari ka shtënë  me armë zjarri në drejtim të Burim Osmanit.

Gjithashtu sipas ish Prokurorisë së atëhershme të Qarkut në Gjilan, i akuzuari Xhaferi ka bartur edhe armë pa leje prej kohës së pa vërtetuar e deri kur është kapur nga policia dhe arma i është konfiskuar.

Ndryshe, i akuzuari Xhaferi ditë më parë në një emision televiziv, kishte deklaruar se ka disa vepra penale aktive në Gjykatën e Gjilanit, kurse për disa të tjera tashmë ishte dënuar.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast:

Reperi gjilanas e pranon fajësinë për vrasje në tentativë dhe armë pa leje