Foto: KALLXO.com

Rasti ‘Veteranët’, gjykata nuk lejoi mediat t`i publikojnë deklaratat mbrojtëse të të akuzuarëve

Në procesin gjyqësor ndaj Agim Çekut dhe 11 të akuzaurëve të tjerë të njohur si rasti i ‘Veteranëve’ dje është shkelur parimi i publicitetit.

Kjo pasi gjyqtarja që udhëheq me rastin Nushe Kukaj- Mekaj, ua ndaloi mediave të pranishme në sallën e gjyqit të publikojnë mbrojtjen e dhënë nga të akuzuarit me arsyetimin se të akuzuarit të mos jenë në dijeni lidhur me përgjigjet e të akuzuarve tjerë gjatë marrjes në pyetje.

Gjyqtarja Nushe Kukaj- Mekaj, vendimin e tillë e kishte dhënë vetëm verbalisht.

Ndonëse Kodi i Procedurës Penale, parasheh obligimin ligjor të gjyqtarit të vetëm gjykues dhe trupit gjykues që çdo herë kur kufizojnë të drejtat e mediave të marrin vendim të arsyetuar me shkrim.

Kodi i Procedurës Penale në nenin 301 paragrafin 3 thotë se: “Fotografimi, filmimi, regjistrimi televiziv dhe regjistrime të tjera përpos regjistrimit zyrtar të shqyrtimit gjyqësor lejohen, përveç nëse gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues kufizon fotografimin, filmimin, regjistrimin televiziv ose regjistrimet tjera me aktvendim të arsyetuar me shkrim”.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje gjykatëses Nushe Kukaj- Mekaj, nëse këtë vendim të dhënë verbalisht e ka formalizuar me aktvendim të arsyetuar, por nuk kemi pranuar përgjigje.

Në shtator të vitit 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashit, Shukri Bujës, Ahmet Dakut, Rrustem Berishës, Faik Fazliut, Smajl Elezajt, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jasharit nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej 88 milionë e 769 mijë e 217 euro e 4 cent.

Të gjitha seancat e monitoruara nga ky rast penal mund t’i lexoni këtu.