Rasti Subvencionet: Të dyshuarve u refuzohen ankesat, mbesin në paraburgim

Gjykata e Apelit përmes një komunikate për media ka njoftuar se i ka refuzuar si të pabazuara të gjitha ankesat e mbrojtësve të të dyshuarve në rastin e ashtuquajtur “Subvencionet”.

Gjykatës e Prishtinas kishte vendosur që ta vazhdonte masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve  S.SH., S.S., L.S., H.M., B.N., D.A., A.B., SH.K., P.K., ndërsa ndaj të dyshuarve të tjerë ishte vazhduar masa e arrestit shtëpiak.

Të pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Prishtinës, të dyshuarit kishin parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, mirëpo kjo Gjykatë pas shqyrtimit të ankesës, ka konstatuar se Gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejtë kur ndaj të pandehurve e ka vazhduar masën e paraburgimit dhe atë të arrestit shtëpiak.

Sipas Gjykatës së Apelit kjo masë momentale është e nevojshme, duke e pasur parasysh natyrën e veprave penale dhe rrethanat tjera të rastit konkret, me qëllim të zbatimit të suksesshëm të procedurës penale.

Prokuroria po pretendon se të dyshuarit duke vepruar në kundërshtim me detyrën zyrtare kanë kërkuar apo kanë pranuar ryshfet nga persona të ndryshëm, kryesisht nga fermerët, në mënyrë që të njëjtit t’i fusin në listat e përfituesve të subvencioneve.

Dyshimet e Prokurorisë janë se fermerët u futën në listën e përfituesve pa e plotësuar asnjë kriter ligjor, por duke dhënë ryshfet (para) ose anasjelltas, kurse disa fermerë të tjerë edhe pse i plotësuan kushtet, sipas Prokurorisë të njëjtit nuk u futën në listat e përfituesve pasi që nuk pranuan që të japin ryshfet.

Ndaj të pandehurve Prokuroria ka zbatuar masa të fshehta teknike të vëzhgimit.

Sipas Prokurorisë nga audio dhe video incizimet vërtetohet se të pandehurit në lokacione të ndryshme varësisht nga interesi dhe marrëveshja kanë dhënë dhe marrë ryshfet dhe pastaj paratë i kanë ndarë në mes vete sipas marrëveshjes.

Por Prokuroria pretendon që të dyshuarit jo vetëm që kërkuan dhe pranuan ryshfet nga palë të treta, por ata kanë vepruar duke mos qenë të sinqertë as me njëri tjetrin, pasi që sipas Prokurorisë, të dyshuarit në fjalë e mashtruan edhe njëri tjetrin kur erdhi puna të “ndarja e pazarit”.

“Në mënyrë shumë të qartë paratë e marra janë video incizuar duke iu dorëzuar njëri tjetrit. Të pandehurit paratë  në kartëmonedha të ndryshme kur i ndajnë në mes veti i llogarisin aty për aty fitimin e tyre, në raste të ndryshme sillen me zarfe nga terreni nga persona zyrtarë  të cilat operojnë në terren  dhe tani janë të pandehur  dhe në raste të ndryshme të pandehurit madje edhe tradhtojnë njëri tjetrin sa i përket shumave të fituara sepse  ata nuk i ndajnë në mënyrë proporcionale sipas marrëveshjes duke mos iu treguar njërit tjetrit vlerën e saktë të ryshfetit të marrë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Madje në kërkesën për caktim të masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve, Prokuroria pretendon se ka dëshmitarë të cilët kanë dëshmuar se të dyshuarit i kërkuan ryshfet deri në vlerë prej 30 mijë eurove.

Për zbulimin e këtij grupi të të dyshuarve Prokuroria përdori përgjime dhe kreu një sërë bastisjesh në disa qytete të Kosovës.

Ekskluzive – Të dyshuarve në rastin ‘Subvencioni’ iu montuan mjete përgjuese në zyrë