Foto: KALLXO.com

Rasti ‘Pronto’, prokurorja pyet të akuzuarin: A mjafton të jesh burrë i mirë e të punësohesh?

Në gjykimin e rastit të njohur si “Pronto”, në Gjykatën e Prishtinës sot është marrë në pyetje i akuzuari Fatmir Shurdhaj.

Ndonëse pranoi të deklarohej para Gjykatës, Shurdhaj u rezervua në pyetjet lidhur me përgjimet.

I akuzuari Fatmir Shurdhaj ngarkohet me pikën e 7-të të aktakuzës së Prokurorisë Speciale  të Kosovës.

Sipas aktakuzës, Fatmir Shurdhaj duke qenë zëvendësministër i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, gjatë bisedës telefonike me ish-deputetin dhe ish-kryetarin e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka rënë në përgjime për përpjekjen e krijimit të privilegjeve për të punësuar personin Heset Sahitin në pozitën e drejtorit të bordit në ndërmarrjen publike “Ujësjellësi Rajonal Prishtina”.

Lidhur me Heset Sahitin prokurorja speciale Drita Hajdari e pyeti të akuzuarin se kush është ky person, të cilin, sipas përgjimeve, e konsideron “njeri i mirë dhe duhet të jetë në bordin e ujërave.

Lidhur me këtë, i akuzuari tha se Heset Sahitin e ka bashkëluftëtar dhe se e ka takuar në një ngushëllim në Magurë dhe se ai e ka pyetur se a ke informata për një konkurs të bordit të ujërave, se a ka kalu afati ligjor.

“Dhe kjo është krejt arsyeja që e kam thirrë Adem Grabovcin me pyet”, u përgjigj i akuzuari.

“A mjafton dikush  me qenë burrë i mirë për t’u futur në bordin e Ujërave?”, pyeti prokurorja Drita Hajdari por nuk mori përgjigje nga i akuzuari.

Po ashtu, prokurorja e pyeti të akuzuarin edhe lidhur me punësimin e personit me emrin Afrim, por as në këtë rast nuk mori përgjigje.

Ndërsa I akuzuari Sadat Gashi u deklarua se qëndron pranë deklaratës së dhënë më parë dhe lidhur me këtë çështje nuk do të deklarohet në Gjykatë por shtoi se punësimi Ii personit me emrin Daut ka ndodhur një vit pasi atij i është shkëputur marrëdhënia e punës në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Kurse, i akuzuari Xhavit Dakaj deklaroi se nuk do të përgjigjet në asnjë pyetje të prokurores.

Prokuroria Speciale në prill të vitit 2018 kishte ngritur aktakuzë ndaj Adem Grabovcit, Arbenita Pajazitit, Besim Beqajt, Ilhami Gashit, Njazi Kryeziut, Zenun Pajazitit, Fatmir Shurdhaj, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj, Rexhë Abazit në drejtim të veprës penale shkelje e statusit të barabartë të qytetarëve të Republikës së Kosovës duke u mundësuar përparësi dhe privilegje personave  me bindje politikë në pozita udhëheqëse në ndërmarrje publike.