Adem Grabovci duke dhënë fjalën përfundimtare në rastin `Pronto` - 30.12.2019

Rasti ‘Pronto’ ende nuk ka shkuar në Apel

Janë bërë 3 muaj, apo 91 ditë nga shpallja e aktgjykimit në rastin e njohur “Pronto”. Trupi gjykues i udhëhequr nga Shashivar Hoti, liroi të gjithë të akuzuarit në mungesë të provave.

Vendimi me të cilin u liruan Adem Grabovci, Besim Beqa, Zenun Pajaziti dhe 8 të akuzuar të tjerë nuk u arsyetua nga kryetari i trupit gjykues me datën 3 janar 2020.

Mirëpo për përpilimin me shkrim të këtij aktgjykimi gjykatësit Hoti iu deshën 2 muaj kohë shtesë.

Me datën 3 mars  gjykata ia dorëzoi prokurores së rastit Drita Hajdari dhe të akuzuarve, e mbrojtësve të tyre aktgjykimin lirues të përpiluar me shkrim.

Prokurorja e rastit Drita Hajdari, e kontaktuar nga KALLXO.com, njoftoi se ankesën kundër aktgjykimit lirues në këtë rast penal e kishte dorëzuar në gjykatë me datën 12 mars.

Prokurorja Drita Hajdari, tregoi për KALLLXO.com se ankesën e kishte ngritur për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave procedurale, për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike si dhe për shkak të shkeljes së ligjit penal.

Rrjedha e procedurës sipas Kodit të Procedurës Penale, pas paraqitjes së ankesës pason me dërgimin e ankesës tek palët kundërshtare në këtë rast të të akuzuarve për përgjigjen në ankesë.

Neni 388 i Kodit Penal, parasheh se gjykata dërgon një kopje të ankesës palëve kundërshtare të cilat mund të paraqesin përgjigje në ankesë brenda 8 ditëve nga pranimi i kopjes së ankesës.

Pastaj pasi të kalon afati 8 ditor paragrafi i 3-të i këtij neni thotë se: “Gjykata përcjell ankesën, përgjigjen dhe shkresat e tjera përkatëse në gjykatën që është kompetente për shqyrtimin e ankesës”.

Andaj nëse llogarisim nga data 12 mars kur është dorëzuar ankesa, nëse gjykata me datën 13 mars ua ka dërguar ankesën të akuzuarëve dhe nëse e lëmë afatin 5 ditor si afat deri sa të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre kanë pranuar ankesën, atëherë me datën 27 mars ka përfunduar afati 8 ditor për dorëzimin me shkrim të përgjigjes në ankesë.

 

I bie që lënda e ‘Prontos’ është dashur që me datën 27 mars të dërgohej në Gjykatën e Apelit.

Pandemia e coronavirusit CoVid-19 nuk e ka penguar punën e gjykatës për të marrë veprime procedurale lidhur me ankesën.

Në bazë të konfirmimit që kemi marrë nga zyrtarja e informimit Mirlinda Gashi, me datën 19 mars kur jemi informuar për punën e gjyqësorit në kohë të pandemisë.

Gashi, ka njoftuar KALLXO.com se: “Aktualisht nga zyrtarët e gjykatës janë duke u pranuar shkresa, ankesa dhe kërkesa të natyrës urgjente”.

KALLXO.com ka bërë llogaritjen e  afateve duke e ditur funksionimin e gjykatës edhe pas datës 13 mars.

Ndërsa nga zyrtari për informim i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari, KALLXO.com është njoftuar se kjo lëndë ende nuk është pranuar në Gjykatën e Apelit.

Me 6 janar të vitit 2018-të Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Adem Grabovcit, Arbenita Pajazitit, Ilhami Gashit, Besim Beqajt, Njazi Rexhës, Zenun Pajazitit, Xhavit Dakajt për veprën penale shkelje e statusit të barabartë të Kosovës.

Grabovci, Beqaj, Pajaziti dhe të tjerët akuzohen  se gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011 kishin emëruar në mënyrë të kundërligjshme në pozita udhëheqëse njerëz të afërt të tyre ose me partinë e tyre në ndërmarrjet publike “Trainkos”, “Infrakos”, “Hidro-Drini”, “Radoniqi-Dukagjini”.