Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com
Rasti 'Pronto', Besim Beqaj: I tërë ky proces është mbi bazën e thashethemeve dhe demagogjisë
Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka dhënë sot mbrojtjen në gjykimin e tij në rastin e njohur si “Pronto”.
Beqaj akuzohet se së bashku me Adem Grabovcin kanë tentuar të krijojnë privilegje apo përparësi në bazë të përkatësisë politike për pozitën e drejtorëve në bordet e ndërmarrjeve publike Trainkos dhe Infrakos.
Në përgjimet e saj, Prokuroria kishte kapur disa biseda mes Beqajt dhe Grabovcit të datave 9, 12 e 16 dhjetor 2011, në të cilat planifikonin rishpalljen e konkurseve për disa pozita.
Në njërën prej tyre, Besim Beqaj i thotë Adem Grabovcit: “A t’i them atyne dyve, të dytë t’i rishpallim, Trainkos dhe Infrakos”. Ndërsa Grabovci i përgjigjet: “Sejdës i thashë po edhe atij tjetrit nëse do thuaji’’.
Ndërsa Besim Beqaj i përgjigjet: “Të dytë t’ja rishpallim, pastaj shohim”. E Adem Grabovci ia kthen: “OK, OK, masi të shpallet ky tjetri”. E Beqaj sërish i përgjigjet: “Tanaj i shpallim të dytë”, më çka pajtohet edhe Grabovci.
Kjo pjesë e bisedës mbyllet me një konkludim të Besim Beqajt, ish-deputet e ish-ministër nga PDK: “Edhe tani i zgjedhim bordet”.
Gjykimi i Adem Grabovcit: Në përgjime flet më së shumti, në gjykatë mbyll gojën
Në kohën e përgjimeve Beqaj ishte ministër i Zhvillimit Ekonomik.
Gjatë marrjes në pyetje nga avokati i tij, Besnik Berisha, i akuzuari Besim Beqaj tregoi për komisionin e ndërmarrjeve publike, udhëheqjen, kompetencat dhe raportimin në Kuvendin e Kosovës.
“Komisioni për ndërmarrjet publike formohet me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik është kryesuesi i cili i përgjigjet kryeministrit’’, tha ai.
Komisioni i ndërmarrjeve publike përbëhet prej 5 ministrave të cilët kanë obligim ta shqyrtojnë, aprovojnë, monitorojnë performancën e ndërmarrjeve publike, sqaroi i akuzuari.
“Ndërsa ministri raporton në Kuvend për raportin vjetor lidhur me performancën e ndërmarrjeve publike’’, deklaroi ai.
“Ndërmarrjet publike udhëhiqen nga bordet e drejtorëve të cilët zgjidhen përmes Zyrës së Kryeministrit’’, shtoi I akuzuari Beqaj.
Lidhur me procedurën e zgjedhjes së bordeve të ndërmarrjeve publike i akuzuari Beqaj deklaroi se për bordet e ndërmarrjeve publike shpallet konkursi nga Zyra e Kryeministrit dhe i tërë procesi zhvillohet nga Zyra e Kryeministrit, e vendimi merret me shumicë votash në mbledhjen e Qeverisë.
“Bordet e ndërmarrjeve publike i raportojnë komitetit ndërministror”, sqaroi tutje ai.
I pyetur nga mbrojtësi i tij avokati Besnik Berisha nëse ka pasur ndonjë bashkëpunim mes tij dhe dhe Adem Grabovcit për të rishpallur siç pretendohet nga Prokuroria konkursin për drejtor të ndërmarrjeve publike Trainkos dhe Infrakos, i akuzuari tha se i vjen keq që “Prokuroria s’ka mujtë me ba dallimin në mes zgjedhjes së kryeshefit ekzekutiv dhe bordit për ndërmarrjeve. Kjo është për keqardhje”.
I pyetur nga avokati Berisha se nëse një konkurs do të rishpallej a do t’i prekte rishpallja edhe ata që kanë bindje të njëjtë me PDK, LDK, VV apo a do t’i targetonte vetëm ata që kanë bindje tjetër politike.
Me këtë rast, Besim Beqaj tha se personalisht ndihet i përndjekur politik sepse, sipas tij, veprimet të cilat bëhen për çfarëdo lloj shpallje, rishpallje, janë vendime të parapara me ligj e kjo nuk nënkupton në asnjë rrethanë që ka asnjë lloj kriteri përkatësia politike në përzgjedhje dhe në rast se do të anulohej do të anulohej vetëm për një pjesë që i përkasin kësaj apo asaj partie politike.
Gjithashtu i akuzuari Beqaj deklaroi se nuk e di kush ka qenë aplikues për shef të bordit të ndërmarrjeve publike Infrakos dhe Trainkos as nuk i ka interesuar në asnjë rrethanë kjo çështje.
I pyetur nga avokati se a ka qenë pjesë e bordit kur Nuredin Krasniqi më 13.12.2011 është caktuar si ushtrues detyre i ndërmarrjes, Beqaj tha se asnjëherë nuk ka qenë pjesë e bordeve.
“I tërë ky proces është mbi bazën e thashethemeve dhe demagogjisë të cilat nuk i shërbejnë Republikës së Kosovës’’, tha në fund të mbrojtjes së tij Besim Beqaj.