Adem Grabovci duke dhënë fjalën përfundimtare në rastin `Pronto` - 30.12.2019

Rasti 'Pronto', Adem Grabovci: Neve na është dhënë dënimi publik

Adem Grabovci, ish deputet i PDK-së, i akuzuar në rastin e njohur si ‘Pronto’, ka dhënë fjalën e tij përfundimtare.

Ai para gjykatës tha se: “Neve na është dhënë dënimi publik, që 3 vite kam heshtë jo pse s`kam pas çfarë me thanë, por sepse kam besuar në të drejtën dhe institucionet përkatëse”.

Grabovci tha se: “Gjate këtij shqyrtimi gjyqësor dhe fjalës së prokurores e cila në shumë raste ka rënë në kundërshtim me vetveten, sepse për të ekzistuar vepra penale duhet të ketë një palë që dëmtohet dhe një palë që përfiton. Andaj ju lus që të më bëni nder dhe nëse vetëm një njeri gjatë jetës time të thotë se ia kam mohuar të drejtën atëherë do të isha pajtuar me prokuroren, por kjo nuk u provua gjatë këtij gjykimi dhe s`do të provohet kurrë”.

“Gjatë përvojës time 40 vjeçare që kam punuar për të mirën e këtij populli nuk e kam pritur që institucioni i vendit tim të më akuzojë që unë dikujt ia kam shkel të drejtën”, tha ai.

“Unë besoj që ju do të bini vendim të drejtë jo vetëm sot por edhe në të ardhmen”, tha i akuzuari Adem Grabovci.

Në Gjykatën e Prishtinës u mbajt  seanca për rastin “Pronto” ku të akuzuar janë njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare, përfshirë ish-deputetin Adem Grabovci, ish-ministrin Besim Beqaj, ish-deputetin Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministrin Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltarin politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtorin e Bordit të Ndërmarrjes Publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtorin e Bordit të Ndërmarrjes Publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesin e Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefen e Njësisë për Furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Adem Grabovci akuzohet nga Prokuroria Speciale me 9 pika të aktakuzës.

Sipas aktakuzës, Adem Grabovci gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011, kishte komunikuar me zyrtarë të lartë për caktimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve në pozitën e kryeshefave ekzekutivë të bordit të drejtorëve  në ndërmarrjet publike, ‘’Trainkos’’, ‘’Infrakos’’, ‘’Hidro-Drini’’, ‘’Radoniqi-Dukagjini’’.

Sipas Prokurorisë Speciale, 11 personat e lartpërmendur akuzohen për kryerjen e veprës penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje.