Rasti "Insajderi", avokati: Arrestimi i Ardian Alajt, ndër më të paligjshmit në Kosovën e pasluftës

Ardian Alaj është arrestuar ditë më parë nga Policia e Kosovës nën dyshimin për hyrje në sisteme kompjuterike, vetëgjyqësi dhe keqpërdorim i besimit.

Rasti ka të bëjë me portalin “insajderi.com”, respektivisht pretendimet rreth pronësisë.

Avokati i Alajt, Durim Osmani në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se arrestimi i klientit të tij është një ndër arrestimet më të paligjshme që ka ndodhur pas luftës në Kosovë.

Sipas tij, arrestimi ka ndodhur pa kurrfarë baze ligjore.

“Fillimisht nuk ka ndonjë dyshim të bazuar, për shkak se çështja e domainit dhe faqes së ‘Facebook’ e Insajderi.com, është një çështje teknike që vërtetohet shumë lehtë dhe hetuesia i ka pasë një pjesë të atyre provave, që vërtetohet lehtë që nuk ka pasur ndërhyrje në sistemin kompjuterik. Dihet se si ndodhë ndërhyrja në sistem kompjuterik”, ka thënë Osmani.

Ai ka deklaruar se është përballë me ‘pasiguri juridike’ dhe arrestimi i Alajt ka qenë vetëm show mediatik.

 

“Për shkak se pa pasur kurrfarë bazë ligjore është arrestu i njëjti, për me kriju show mediatik dhe për me kriju kinse ndjenjën e fajësisë. Por nesër, pas një viti apo dy vitesh, Ardian Alaj kur të del i pafajshëm do të ju them juve mediave, opinionit publik, por edhe organeve të rendit përmes padisë që do të pasojë: ju kam thannë”, ka deklaruar avokati Osmani.

Sipas tij, hetuesia ka ‘keqinterpretuar’ provat.

“Nuk ka bazë ligjore, çështja e pronësisë në domain vërtetohet dhe është vërtetuar në mënyrë të qartë. Domain është ble në vitin 2015, 4 muaj para regjistrimit të Insajderit, nga një ndërmarrje  e tretë, prej të cilës ka qenë i autorizuar me pas qasje Ardian Alaj”.

Ndërsa përmes një postimi në ‘Facebook’, njëri nga drejtuesit e Insajderit, Parim Olluri, tha se është arrestuar njëri prej dy personave që kanë terrorizuar redaksinë prej 43 personave.

“Sot janë bërë 48 ditë prej ditës kur nisi ekzekutimi i misionit për shkatërrimin e Insajderit”, ka shkruar ndër të tjera Olluri  në ‘Facebook’.