Foto-ilustrim

Rasti i të miturës nga Drenasi, 6 të akuzuar për keqpërdorim seksual

Prokuroria e Prishtinës ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë personave në lidhje me rastin e të miturës nga Drenasi.

Gjashtë personat të cilët po akuzohen për këtë rast janë avokati Gazmend Halilaj, polici Vesel Veseli, arsimtari Shkëlzen Gjekaj si dhe tre personat të tjerë me inicialet F.C., I.R., dhe H.H.

Shkëlzen Gjekaj akuzohet për keqpërdorim seksual pasi dyshohet se duke keqpërdorur profesionin e tij e ka keqpërdorur seksualisht të miturën.

Ai akuzohet edhe për veprën penale – nxitja e akteve seksuale me premtim të rrejshëm të martesës.

Për keqpërdorim seksual po akuzohet edhe Vesel Veseli.

Ai akuzohet edhe për shtytje në ndërprerjen e palejuar të shtatzënësisë.

Ndërsa avokati Gazmend Halilaj përpos keqpërdorimit seksual akuzohet edhe për frikësim gjatë procedurës penale.

Për keqpërdorim seksual, Prokuroria e Prishtinës po I akuzon edhe tre të pandehurit e tjerë F.C., I.R., dhe H.H.

Prokuroria ka njoftuar se rastin e ka proceduar në Gjykatë.

Rasti i keqpërdorimit seksual të të miturës nga Drenasi kishte tronditur opinionin në Kosovë në muajin shkurt kur u publikuan dyshimet për përfshirje në këtë rast të një hetuesi policor dhe një profesori të saj.

Kundër këtij rasti, shoqëria civile ka mbajtur një numër protestash duke kërkuar hetimin dhe daljen para drejtësisë të përgjegjësve.

Skandali i abuzimit seksual në Drenas, mesazhet që e ndërlidhin avokatin me dyshimet

www.kallxo.com