Prokuroria e Gjilanit

Rasti i R.H - Prokuroria i kërkon të dëmtuarit paraqitjen në Polici

I dyshuar për lajmërim apo kallëzim të rremë penal, L.B., ka dal para Gjykatës në Gjilan për t’u përballur me kërkesën e Prokurorisë së Gjilanit, e cila ka kërkuar paraqitjen e tij në Stacionin Policor, dy herë në javë.

L.B., ka qenë i dëmtuar në rastin ku për lëndim të rënd trupor ndaj tij, po dyshohet biznesmeni R.H.

Në seancën e sotme dëgjimore, i dyshuari L.B., dhe avokati i tij Granit Sylaj, e kundërshtuan kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraqitjes në Stacionin Policor.

“E kundërshtojmë kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraqitjes në Stacionin Policor pasi konsiderojmë se i mbrojturi im gjatë marrjes në pyetje në Prokurori, e ka keqkuptuar pyetjen kur ka thënë se R.H dhe Sh.Xh ia kanë drejtuar armët dhe i kanë thënë të shtrihet në tokë.

Avokati i të dyshuarit LB, i kërkoi Gjykatës refuzimin e kërkesës së Prokurorisë.

“I mbrojturi im ka thënë se Sh.Xh nuk e ka goditur, por atë e ka goditur me dorëz të revoles R.H. duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, e pasi është rrëzuar atë e ka goditur pastaj edhe Sh.Xh. I propozojmë Gjykatës që ta refuzoj kërkesën e Prokurorisë dhe i mbrojturi im të mbrohet në liri“, tha avokati Sylaj.

Lidhur me kërkesën e Prokurorisë pritet të vendoset sot gjatë ditës nga Gjykata e Gjilanit.

Sipas Prokurorisë, me datën 24 korrik të këtij viti, në stacionin policor në Gjilan i pandehuri L.B, me dashje ka vënë në lajthim zyrtarët policor, duke bërë lajmërim të rremë, se kinse i pandehuri Sh. Xh. bashkë me R.H., me dorezën e revoles e ka goditur në kokë dhe në pjesë të trupit, duke i shkaktuar lëndim të rëndë trupor. Ndaj Sh.Xh është caktuar masa e paraburgimit për arsye të veprës penale lëndim i rëndë trupor.

Policia e Kosovës, dje me anë të një kërkese për bashkëpunim ka kërkuar ndihmë për lokalizuar R. H, i dyshuar për lëndim të rënd trupor.

Kurse i njëjti për KALLXO.com kishte thënë se do të paraqitet vet në Stacionin Policor.

Flet për KALLXO.com biznesmeni Rinor Hykolli: Do të lajmërohem vetë në Polici