Ilustrim

Rasti i fajdeve në Gjakovë, kamata mujore 420 euro

Për 3,500 euro që i kishte marrë si fajde, një qytetar është dashur t’i kthejë 420 euro kamatë mujore.

Dhuruesi i këtyre parave është arrestuar ditë më parë nga Policia ndërsa të premten gjykata e Gjakovës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe i ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit L.H. i cili dyshohet të ketë kryer veprën penale të fajdesë.

“I dëmtuari N.E., nga i pandehurit L.H., kishte marrë para në shumë prej 3,500 euro me kamatë mujore prej 12%, ku i dëmtuari është detyruar të paguajë kamatën në shumë prej 420 euro çdo muaj. Në total i dëmtuari të pandehurit i ka paguar shumën prej 14 mijë euro ne emër të fajdesë, ku me datë 19 dhjetor 2019, i pandehuri arrestohet në flagrancë nga ana e policisë duke pranuar shumën prej 420 euro si kamatë mujore në emër të fajdesë”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Në bazë të këtyre veprimeve L.H. dyshohet se ka kryer veprën penale të fajdes.

I pandehuri L.H. do të mbahet në paraburgim prej datës 19 dhjetor deri më 19 janar 2020.

“Gjyqtari i procedurës paraprake në, Gëzim Pozhegu, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale- thuhet në njoftim.

Kundër këtij paraburgimi, palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

KALLXO.com ka raportuar dje për arrestimin e këtij personin.

Dosja e Prokuroria: Sa para fituan nga fajdet vëllezërit nga Prizreni?