Rasti i fajdeve: Djalit të Sabit Gecit i refuzohet marrëveshja për pranimin e fajësisë

Marrëveshja që Alban Geci  dhe Lulzim Berisha bënë për ta pranuar fajësinë për bixhoz të paligjshëm dhe përkatësisht fajde, nuk u pranua nga gjyqtarja Albina Shabani-Rama.

Të akuzuarit kishin arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me prokurorin special Naim Abazi.

“Marrëveshja është lidhur në mënyrë vullnetare pa presion dhe kurrfarë ndikimi, prandaj gjykatës i propozoj që të njëjtën të aprovoj” u deklarua mbrojtësi i të akuzuarit Lulzim Berisha, Fanol Krasniqi.

“Pas shqyrtimit, e kam shqyrtuar me shumë kujdes, e kundërshtoj marrëveshjen sepse nuk janë plotësuar kushtet që parasheh kodi penal” u deklarua Gjyqtarja e rastit.

Arsyet për refuzimin e kësaj marrëveshje ishin se kualifikimi ligjor nuk ka përkuar me atë që është paraqitur në aktakuzë, nuk ka përfshirë përgjegjësinë e të pandehurit që ka të bëjë me kompensimin e palës së dëmtuar si dhe nuk është përfshirë rekomandimi për konfiskimin e sendeve të cilat janë propozuar në aktakuzë, sipas gjyqtares Shabani-Rama.

“Me këto të meta e kam të pamundur të shqyrtoj marrëveshjen për pranimin e fajësisë” deklaroi Gjyqtarja.

Bashkë me dy të akuzuarit e lartcekur, akuzohen edhe Dalip Brahimi, Bujar Gërbeshi, Ismet Salihu, Rrahim Brahimi, të gjithë të akuzuar për veprat penale të krimit të organizuar, fajdesë, detyrimit, organizimit të skemave piramidale si dhe bixhozit të paligjshëm.

Të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për veprat të cilat akuzohen.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Alban Geci, Asdren Hoxha njoftoi Gjykatën se do ta shqyrtojnë mundësinë që të hyjnë prapë në negociata, “ne mendojmë se mundemi t’i përmirësojmë të gjitha vërejtjet e gjykatës lidhur me marrëveshjen me kohë shtesë” shtoi ai.

https://kallxo.com/gjykimi-per-fajde-djali-i-sabit-gecit-arrin-marreveshje-per-pranim-fajesie-me-prokurorin-special/