
Rasti i ’53 milionëshit’, Pal Lekaj dhe të tjerët deklarohen për fajësinë
Të akuzuarit Pal Lekaj, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, janë deklaruar përsëri të pafajshëm në shqyrtimin gjyqësor i cili është duke u mbajtur sot për rastin e ‘53 milionëshit’.
Ndërsa Eset Berisha kërkoi një sqarim nga Prokuroria Speciale, pasi që për të aktakuza ishte e paqartë.
“Edhe pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit, edhe në shqyrtim fillestar por edhe tani nuk e kam të qartë se keqpërdorimi i detyrës zyrtare në çka konsiston…”- tha Berisha kur u pyet lidhur me kuptueshmërinë e aktakuzës.
Pas kësaj edhe Berisha u deklarua i pafajshëm lidhur me veprën që i vihet në barrë.
Tutje gjykimi ka vazhduar me paraqitjen e fjalëve hyrëse nga ana e Prokurorisë dhe mbrojtësve të të pandehurve.
Prokuroria Speciale kërkoi nga Gjykata që pas administrimit të provave të shpallen fajtorë të akuzuarit pasi që do të vërtetohet se të njëjtit veprat penale me të cilat ngarkohen i kanë kryer me dashje.
“Kjo aktakuzë vërteton në tërësi veprimet inkriminuese…, do të bindeni se veprat penale me të cilat janë ngarkuar të akuzuarit janë kryer me dashje…., dhe buxhetit të Kosovës i janë shkaktuar dëme… ndaj gjykatës provat e propozuara nga Prokuroria Speciale do të paraqesin një pasqyrë të qartë…, do të bindeni se të akuzuarit janë fajtor për veprën penale dhe mbi këtë bazë të njëjtit t`i shpallni fajtor dhe t`i dënoni sipas ligjit”- tha prokurori në fjalën hyrëse.
Kurse mbrojtësi i të pandehurit Pal Lekaj, Musa Damati tha që autorizimi i 53 milionë eurove nuk është bërë nga klienti i tij.
“Pra autorizimi i 53 milionëve nuk është bërë nga klienti im…, por konform dispozitave vetëm është proceduar vetëm për shqyrtim të mëtutjeshëm… dhe ajo që është më e rëndësishme do të konfirmohet se nuk ekziston lidhja kauzale midis veprimeve të klientit tim dhe shkaktimit të pasojës së veprës penale”- tha avokati Damati.
Ndërsa i pandehuri Esat Berisha në fjalën hyrëse të tij tha që pret që ndaj tyre në fund të procesit të ketë aktgjykim lirues.
“Pres nga ju që t`i shqyrtoni me kujdes provat gjatë këtij procesi gjyqësor…, me të cilat mund të kuptohet se cilat kanë qenë kompetencat tona…, pres që në fund të këtij gjykimi të përfundoj me aktgjykim lirues ndaj nesh për shkak se nuk mund të vërtetohet se ne kemi kryer veprën penale për të cilën akuzohemi”- tha Berisha.
Se do të vërtetohet pafajësia e Nebih Shatrit e tha mbrojtësi i tij për këtë rast Florent Latifi
“Me provat e propozuara nga ana e prokurorisë, dhe ato që do t`i propozojmë për administrim në fazat e më vonshme do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit tim Nebih Shatri, për shkak se i njëjti në asnjë formë dhe në asnjë moment nuk e ka kry veprën penale për të cilën akuzohet”- tha Latifi.
Aktgjykim lirues për këtë rast e tha se do të ketë edhe mbrojtësi i të akuzuarit Besim Tahiri, Urim Vokshi.
“Prandaj gjatë shqyrtimit gjyqësor me prova të cilat do të administrohen besojmë se gjithçka do të arrij në kolnkludimin për nxjerrjen e aktgjykimit lirues ndaj zotëri Tahirit”- tha avokati Vokshi.
Sesioni i pasdites pritet të vazhdoj me dëgjimin e dëshmitarëve për këtë rast.
Ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në Autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.
Me veprimet e tyre ata akuzohen se buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38.321.346.00 euro.
Sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.
Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.
Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.
Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.
Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.
Vendimin për ndarje e kishte nënshkruar në atë kohë Ramush Haradinaj sa ishte në krye të Qeverisë.
Raportimet e KALLXO.com lidhur e rastin e ’53 milionëshit’ mund t`i lexoni duke klikuar në LINK