Arkiv

Rasti 'Hidrocentralet', zyrtari i KEK-ut tregon për rolin e tij në procesin e shthurjes së KEK-ut para privatizimit të KEDS-it

Gjykimi ndaj ish-ministrave të Qeverisë ‘Thaçi 2” ka vazhduar në Gjykatën e Prishtinës.

Ish-ministrat Besim Beqaj, Mimoza Kusari- Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Arben Gjuka dhe Fllanza Hoxha, akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Në seancën e sotme është marrë në pyetje nga avokati Besnik Berisha, mbrojtës i të akuzuarit Besim Beqaj, dëshmitari Edmond Nduelleshi, drejtor i Shërbimeve në Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës – KEK.

Dëshmitari Nduelleshi deklaroi se qëndron prapa deklarimeve të dhëna në polici.

Kur u pyet nga avokati se cili ishte roli i tij në rastin privatizimin e KEDS-it, dëshmitari deklaroi se ai ishte përfshirë vetëm në procesin e shthurjes se KEK-ut, e jo në procesin e privatizimit (KEDS-it).

Dëshmitari deklaroi se njohuritë e tij mbi procesin e privatizimit i bazon në praktikat të procesit e jo në ndonjë vendim apo shkresë konkrete.

Ai theksoi se “Sipas njohurisë së tij nuk kemi të bëjmë me shitjen të aseteve, por të aksioneve”.

“Siç kam deklaruar edhe më herët në bazë dokumentacionit që e kam parë, shkresave që i kam pa, nuk kemi të bëjmë me shitjen e aseteve, por kemi të bëjmë me shitjen e aksioneve të kompanisë”, deklaroi ai.

Marrja në pyetje e dëshmitarit Nduelleshi pritet të vazhdojë në seancën e ardhshme më datë 7 mars, 2022.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit Besim Beqaj, kryesues i Komitetit Qeveritar për Privatizim, Mimoza Kusari- Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu, anëtarë të Komitetit Qeveritar për Privatizim, anëtarë të Komitetit Qeveritar të Privatizimit (KQP), në cilësi të personave zyrtarë, me qëllim që t’i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që të shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.

Në aktakuzë pretendohet se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me detyrat dhe të drejtat e tyre të përcaktuara si anëtarë të këtij Komiteti, pasi që më 08.05.2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikancë”, të transferohen tek KKDFE dhe më pas të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.

Po ashtu, në të njëjtën ditë sipas Aktakuzës së Prokurorisë Speciale, janë nënshkruar marrëveshja për importe, për transferim, për furnizim, për implementim, për borxhe.

“Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve ishte përmbyllur procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen, për arsye se një veprim të tillë e ndalon baza ligjore, Ligji për rregullatorin e energjisë elektrike nr.05/L-084, neni 35, paragrafi 4, të njëjtat asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK”, thuhet në aktakuzë

Tutje në aktin akuzues ndaj ish-ministrave të Qeverisë ‘Thaçi 2” theksohet se të akuzuarit “… kanë dëmtuar interesat e kompanisë KEK si dhe aksionarit Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht vetëm për qera mujore për periudhat e mbetura të koncesionimit në shumën prej 1,054,000.00 euro, sepse e njëjta duhet të i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese, si dhe pas përfundimit të koncesionimit, të njëjtat ngelin në pronësi të kompanisë privatizuese”.

Më tej në aktakuzë thuhet se dëmi tjetër i shkaktuar direkt është vlera e investuar (shtuar) në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, që nuk përfshinë vlerën e aseteve  para koncesionit, sepse KEK-u nuk ka bërë regjistrimin dhe nuk ka prezantuar vlerën e aseteve para privatizimit, por privatizimi është bërë sipas vlerës së mjeteve të bazuara në regjistrimin e vitit 2003.

“Dëm ky që edhe më tutje vazhdon të shkaktohet në mënyrë të përhershme”, theksohet në aktakuzë.

Prokuroria pretendon se me këto veprime të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” .

Pas parashtrimi të kërkesave për hudhje të aktakuzës nga mbrojtja, Gjykata ka pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit relativ të ndjekjes penale për të akuzuarit Fadil Citakut, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Besha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu, dhe Krenar Bujupi.

Deklarohen të pafajshëm ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2 në rastin “Hidrocentralet”