ARKIV - Homazhet në nderim të Astrit Deharit - Foto: KALLXO.com

Rasti Dehari: Analiza e Zvicrës nuk përjashton vrasjen

Prokuroria Themelore në Prizren ka thënë se nevojitet një hetim i ri për të qartësuar rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Në ditën kur i dorëzoi raportin e ekspertizës familjarëve të ish-aktivistit të Vetëvendosjes, i cili u gjet i vdekur në dhomën e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, Prokuroria tha se duhet të kihet parasysh edhe ndërhyrja e një personi të tretë në ‘procesin fatal’.

Kjo është komunikata e plotë e Prokurorisë Themelore në Prizren:

Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se më datë 23.10.2019 ka pranuar të përkthyer në gjuhen shqipe raportin 58 faqësh të ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për rastin e Astrit Deharit.

Po ashtu, Prokuroria Themelore në Prizren bën me dije se sot më datë 24.10.2019 në ora 10:30, raporti i ekspetizës në gjuhën frënge dhe në gjuhën shqipe i është dorëzuar familjes Dehari dhe përfaqësuesit të tyre ligjor.

Raporti i ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për rastin e Astrit Deharit, konstaton – citojmë:

  1. Ashtu siç është thënë në ekspertizën tonë El180001, ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së z. DEHARI Astrit. Në fakt hipoteza e një vetëvrasjeje e z. DEHARI Astrit përmes mjete të caktuara nga mjekët ligjor duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh.
  2. Analizat e ADN-së të kryera në laboratorët tona kanë mundësuar të vëjnë në dritë një profil të ADN-së mbi mostrën e përshkruar nga ekspertët e Kosovës siç thuhet se përmban pak ose shumë pak ADN.
  3. Nga ajo çfarë u tha, ne vlerësojmë se një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së z. DEHARI Astrit. Ekipet tona dhe laboratorët tona janë në dispozicion të hetuesve të ngarkuar me çështjen.

Bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Prokuroria do të vazhdojë me hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, ku do t’i dëgjojë edhe ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë, si dhe ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë, për sqarimin e raporteve të tyre dhe nëse është e domosdoshme do të bëhet një super-ekspertizë jashtë vendit në bashkëpunim dhe koordinim me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që të sqarohen rrethanat dhe shkaktarët e vdekjes.

Prokurori i Shtetit siguron familjen Dehari dhe opinionin publik se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve kushtetuese dhe ligjore do të zhvillojë hetime profesionale deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti.