FOTO KALLXO.com

Rastet kur shkoni në burg për mosrespektimin e masave të Qeverisë kundër COVID-19

Muaji mars i këtij viti, përpos problemeve të shumta me të cilat përballet Kosova, i shtoi edhe një sfidë të radhës, kjo e paparë për shtetin tonë deri më tani.

Armiku i padukshëm i cili njihet si CoVid-19, arriti në Kosovë në muajin mars të këtij viti.

Qeveria me datë 17 prill mori një vendim për zbatimin e disa masave për parandalimin e përhapjes së këtij virusi.

Qeveria ka imponuar masa kufizuese të mbrojtjes nga pandemia, policia po arreston qytetarë e gjykata po cakton masa të sigurisë për personat që nuk po i respektojnë masat, në anën tjetër ministri i Shëndetësisë thotë se ndaj atyre që nuk po respektojnë masat do të ketë dënime me gjobë në procedurë të kundërvajtjes.

Masat e Qeverisë bazohen në Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse.

Masat parandaluese sipas këtij ligji janë: Kontrollimi i udhëtarëve, sendeve të tyre dhe mjeteve të transportit, pastaj ndalimin e qarkullimit të personave që dyshohet se mund të infektohen nga kolera, murtaja, variola vera, ethet hemorragjike virale, ethet e verdha etj.

Poashtu si masa të tjera Ligji ka paraparë edhe ndalimin e tubimit të personave në shkolla, kinema dhe në vende të tjera publike.

Masat e parapara ishin edhe dezinfektimi, me qëllim të parandalimit dhe të luftimit të sëmundjeve ngjitëse si dhe izolimin e personave të sëmurë nga sëmundjet e caktuara ngjitëse dhe mjekimin e tyre.

Ndërsa neni 54, 55 dhe 56 parasheh shkeljen e masave të lartcekura si kundërvajtje për të cilat parashihen dënime me gjobë.

Dënimet me gjobë për personat fizik (personat e rëndomtë) parashihen prej 1 mijë deri në 2 mijë euro, ndërsa për personat juridik (bizneset, kompanitë, komunat) dënimi me gjobë parashihet prej 3 mijë deri në 8 mijë euro, e personi përgjegjës i personit juridik ( punëtori i ndonjë kompanie) nëse shkel këto masa dënohet me gjobë prej 500 deri në 1 mijë e 500 euro.

Neni 53 i këtij Ligji parasheh se dënimet më gjobë shqiptohen nga Shërbimi i Inspektoratit Sanitar të Kosovës.

Ndërsa neni 57 i këtij Ligji, parasheh që kur ka elemente të veprës penale, rasti trajtohet si vepër penale.

KALLXO.com në vazhdimësi raporton për arrestimin e personave që nuk po respektojnë vendimin kufizimin e lëvizjes që parashihet si masë për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës, në nenin 250 ka paraparë veprën penale  mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë:

“Kushdo që gjatë kohës së epidemisë ose të ndonjë sëmundjeje ngjitëse nuk vepron sipas urdhrave apo vendimeve tjera të nxjerra në bazë  të dispozitave të organit kompetent, i cili cakton masat që kanë për qëllim luftimin apo parandalimin e tyre, dënohet me burgim deri në dy (2) vjet”.

Ky nen i Kodit Penal është i karkaterit blanket sepse udhëzon në dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse.

Ndërsa neni 57 i Ligjit për parandalimin e Sëmundjeve ngjitëse ka paraparë që kur ka elemente të veprës penale, rasti duhet të trajtohet si vepër penale.

Në lidhje me këtë nen, Prokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, për KALLXO.com është përgjigjur se për ta ndjekur një person penalisht duhet të konstatohet se i njëjti ka shkaktuar përhapje të infeksionit.

“Për përgjegjësinë penale nuk mjafton vetëm veprimi (elementi) në kundërshtim me dispozitat apo urdhrat e organit kompetent, por duhet të plotësohet edhe një rrethanë (element), që personi i ndaluar të ketë shkaktuar përhapjen e infeksionit”, ka thënë prokurori i Shtetit Besim Kelmendi.

Tutje ai ka shtuar se “Pavarësisht kohës së gjatë ( tre javë ) për paraqitjen e simptomave, prokurori duhet të verifikojë dy fakte, njëri ka të bëjë me shkeljen e vendimit apo urdhrit të organit kompetent dhe tjetri me provat që e vërtetojnë se personi i ndaluar e ka bartur virusin tek personi tjetër dhe ky fakt siç e thash mund të vërtetohet vetëm në bazë të deklaratave të personave tjerë (qoftë të infektuar, qoftë dëshmitar ) si dhe analizave mjekoligjore. Si përfundim, vërtetimi i elementeve të veprës penale për këto raste mbetet sfidë dhe shumë problematike. Nëse nuk ka prova që personi i ndaluar ka përhapur infeksionin, ai përgjigjet vetëm për kundërvajtje”, ka thënë prokurori i shtetit Besim Kelmendi.

Prokurori Kelmendi ka shtuar se në lidhje me këtë, neni 249 i Kodit Penal të Kosovës, parasheh se kushdo që përhap sëmundjen ngjitëse dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet.

“Ndërsa kur përhapja e sëmundjes ngjitëse rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave kryerësi dënohet me burgim deri në 12 vjet”, ka shpjeguar prokurori Kelmendi.

 

Analiza lidhur me ndalimin e personave nga Policia e Kosovës

Neni 50 i Ligjit për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse ka paraparë që “Shërbimi Policor i Kosovës, në kuadër të të drejtave dhe të detyrave të veta bashkëpunon me organin kompetent Inspektoratin Sanitar të Kosovës, në bashkëpunim me IKSHP kanë për detyrë t’i japin ndihmë në procedurën e kufizimit ose të ndalimit të udhëtimit në vendin ku mbizotëron epidemia e ndonjë lloji të sëmundjes ngjitëse, në procedurën e ndalimit, përkatësisht të kufizimit të qarkullimit të popullsisë në rajonin e infektuar në procedurën e kufizimit ose ndalimin e qarkullimit të llojeve të veçanta të artikujve ushqimor dhe me rastin e zbatimit të masave të tjera të parashikuara ose të urdhëruara në bazë të këtij ligji”.

 

Organi kompetente për shqiptimin e dënimeve me gjobë

Ndërsa neni 53 i këtij Ligji, parasheh që dënimet me gjobë i shqipton Inspektorati Sanitar i Kosovës.

Andaj të gjithë personat e ndaluar deri tani e për të cilët nuk vërtetohet se kanë përhapur sëmundjen ngjitëse do të zhvillohet procedurë e kundërvajtjes administrative.

 

Procedura për shqiptimin e dënimeve me gjobë

Ligjin për Inspektoratin Sanitar të Kosovës parasheh se Inspektorët Sanitar Komunal, me aktvendim shqiptojnë kundërvajtjet administrative të cilat përbëjnë dënimet me gjobë të cekura më lartë.

Mjetet financiare  të arkëtuara nga gjobat derdhen në buxhetin e Kosovës.

Ekzekutimi i dënimit me gjobë bëhet 30 ditë pas vendimi ta ketë marrë formën e prerë.

 

Pasojat ligjore për vonesën e pagesës së dënimit me gjobë

Në bazë të nenit 34 par.2 të këtij ligji parashihet se në rastet kur gjoba nuk paguhet brenda kohës se caktuar për çdo ditë vonesë, masa e gjobës rritet me 3% të vlerës deri në 30 ditë. Sipas këtij Ligji, kundër vendimit të shkallës së parë, ankesa i parashtrohet Inspektoratit Sanitar të Kosovës në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë si shkallë e dytë.

 

Afati për paraqitjen e kësaj ankesë është 8 ditë

Ankesa nuk e shtyn afatin e zbatimit të masave dhe veprimeve të urdhëruara në rastet kur ekziston rreziku i drejtpërdrejte për shëndetin ose jetën e popullatës ose ambientin jetësor.

 

Çka do të ndodh me kallëzimet penale dhe aktakuzat e ngritura në përputhje me nenin 250 (hipotezë)

Rastet për të cilat është ngritur kallëzimi penal ndaj personave për mosrespektimin e këtyre masave Prokuroria e Shtetit do të marrë aktvendim për hedhjen e kallëzimit penal në përputhje me nenin 82 par.1 pika 1, nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se është kryer vepra penale.

Vendimin e tillë, prokuroi i shtetit e dërgon në Polici, ku në arsyetim tregon se për zgjidhjen e këtyre rasteve është kompetent organi tjetër shtetëror.

Policia pasi e merr aktvendim për hedhjen e kallëzimin penal të Prokurorisë, çështjen e ngritur e dërgon tek organi kompetent për zgjidhje.

Ndërsa në rastet për të cilat eventualisht është ngritur aktakuza, Gjykata do ta hedhë poshtë aktakuzën në përputhje me nenin 253 paragrafin 1 pikën 1.1 sepse vepra me të cilën akuzohet i pandehuri nuk përben vepër penale.

 

 Parashkrimi i zhvillimit të procedurës së kundërvajtjes

Ligji  parasheh se procedura e kundërvajtjes nuk mund të zhvillohet nëse kanë   kaluar 2 vite nga koha kur është kryer kundërvajtja.

 

Parashkrimi i dënimit për kundërvajtje

Dënimi me gjobë i shqiptuar nuk mund të ekzekutohet nëse nga data kur vendimi mbi kundërvajtjen ka marrë formën e prerë ka kaluar një (1) vit.

Ligji thotë se parashkrimi i ekzekutimit të sanksionit kundërvajtës fillon të rrjedhë nga dita kur vendimi për kundërvajtje është bërë i formës së prerë.