Manastiri i Deçanit. Foto: Wikimedia.org

Ramosaj nuk shprehet i gatshëm të zbatojë vendimin e kushtetueses për Manastirin e Deçanit

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, nuk ka shprehur gatishmëri për zbatimin e vendimit të gjykatës kushtetuese për Manastirit të Deçanit, edhe pasi që gjykata ka konstatuar moszbatim të vendimit të saj.

Ramosaj në një bisedë për KALLXO.com tha se është i njohur qëndrimi i komunës lidhur më këtë vendim dhe se komuna nuk mundet të zbatojë një vendim që sipas tyre është i padrejtë.

Ramosaj po ashtu tha se është në dijeni që për moszbatim të vendimit është njoftuar prokuroria e shtetit.

“Jam në njohuri që është njoftuar prokuroria e shtetit, prokuroria e kryen punën e saj”, tha Ramosaj.

KALLXO.com para disa ditësh ka raportuar për njoftimin e gjykatës kushtetuese, ku kjo e fundit ka konstatuar moszbatim të vendimit të saj për çështjen e pronësisë se Manastirit të Decanit.

Para 4 vitesh, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte marrë vendim, sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.

Ndërsa kushtetuta e Kosovës përcakton se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin si dhe për të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

Në vendimin e publikuar nder tjera konstatohet se për moszbatim të vendimit të saj është njoftuar edhe prokurori i shtetit.

“Marrë parasysh parimet e lartcekura, dhe pasi bazuar në shkresat e dorëzuara para saj, Gjykata ka konstatuar se Aktgjykimi i Gjykatës në rastin KI132/1S nuk është zbatuar nga autoritet përgjegjëse të Republikës së Kosovës, në përputhje me nenin 116 të Kushtetutës dhe rregullin 66 të Rregullores së punës, Gjykata nxjerre këtë Aktvendim për Mos përmbarim përkitazi me rastin e Gjykatës KII32/1S. Në të njëjtën kohë, Gjykata gjithashtu e njofton Prokurorin e Shtetit përkitazi me moszbatimin e Aktgjykimit të saj në rastin KII32/1S”, thuhet në arsyetim të vendimit të saj.

Po ashtu gjykata ka vlerësuar se përtej konstatimit për moszbatim të një aktgjykimi, përmes aktvendimit për mospërmbarim dhe njoftimin prokurorit të shtetit, gjykata kushtetuese nuk ka kompetencë që të vlerësojë përgjegjësinë e moszbatimit të një vendimi nga organet që janë përgjegjëse.

Gjykata thotë se kompetenca për një vlerësim të tillë i takon prokurorit të shtetit, bazuar në dispozitat e kodit penal dhe atij të procedurës penale të Kosovës.

E se gjykata kushtetuese ka kërkuar zbatim të vendimit të saj për Manastirin e Deçanit, është mirëpritur nga shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog.

“Dështimi në ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese shkel si Kushtetutën ashtu edhe parimet themelore të sundimit të ligjit. U bëj thirrje autoriteteve të ndërmarrin hapa për të siguruar që vendimet e Gjykatës Kushtetuese, përfshirë vendimin që lejon regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit, si dhe vendimet e tjera të autoriteteve gjyqësore, të ekzekutohen menjëherë dhe në mënyrë arbitrare”, tha ai.

KALLXO.com ka raportuar për protestat e zhvilluara nga banorët e Deçanit dhe zyrtarët komunal, ku ata janë deklaruar se manastiri është objekt kulti i shqiptarëve e jo i serbëve.

Kushtetuesja konstaton mos zbatimin e vendimeve për Manastirin e Deçanit dhe lagjen “Dardania” në Prizren