Ramiz Lladrovci dhe personi që e kanosi pajtohen që ta zgjidhin çështjen përmes ndërmjetësimit

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe personi që akuzohet se kishte kanosur kohë më parë atë janë pajtuar që çështjen ta zgjidhin përmes ndërmjetësimit.

Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës së Prishtinës, më 20.09.2024 është mbajtur seanca në lidhje me kanosjen ndaj kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcit, ku i akuzuar është Muhamet Ajazi.

Rasti është propozuar për ndërmjetësim nga avokati Ibrahim Shala që mbron të akuzuarin, Muhamet Ajazi.

“Propozoj trupit gjykues që është kompetencë të referoj çështjen në ndërmjetësim, këtë propozim e kam unë” – tha avokati Ibrahim Shala.

Sipas Prokurorisë, Ajazi akuzohet se më 12.11.2021, gjatë fushatës elektorale e kishte penguar Lladrovcin në ushtrimin e veprimtarisë, në atë mënyrë, që derisa ishin duke qëndruar në restorantin “Lumi” në Komoran, kishte shkuar tek dëshmitarët Ndriqim Bujupi, Lindrim Ibriqi dhe Besart Ajazi dhe i’u kishte thënë “shyqyr që ka përfunduar me kaq se ja kisha q* nanen plum”, duke aluduar në të dëmtuarin Ramiz Lladrovci.

Propozimin e avokatit Shala të bërë në seancën e datës 20.09.2024 e mbështeti edhe i akuzuari Muhamet Ajazi.

“Unë pajtohem, po atë cka u fole, nuk e kam thanë, po pasi ka kërku pala tjetër, pajtohem ” –  tha i akuzuari Muhamet Ajazi.

“Zonja gjykatëse ligji na lejon procedurën e ndërmjetësimit, unë pajtohem me kërkesën e avokatit, nuk kemi bërë na kërkesë, sepse ne jemi të dëmtuar. Kemi afatin ligjor për ndërmjetësues, kemi afatin nëse na arrijmë të merremi vesh, unë pajtohem me kërkesën e avokatit për ndërmjetësim.” – tha i dëmtuari Ramiz Lladrovci.

Me këtë propozim u pajtua edhe prokurorja e kësaj çështje Fitore Sadikaj po ashtu edhe trupi gjykues në përbërje prej Alltën Murseli – kryetare dhe anëtarët Gazmend Bahtiri dhe Gëzim Ademi mori aktvendim që kjo çështje të përcillet në procedurë të ndërmjetësimit dhe lidhur me këtë çështje të njoftohet kryetarja e trupit gjykues lidhur me arritjen ose ndërmjetësimin e palëve në procedurë.

I akuzuari Ajazi nuk e kishte pranuar fajësinë për këtë vepër penale në seancën e datës 14.06.2024 .

“Nuk e pranoj fajësinë” – kishte thënë i akuzuari Muhamet Ajazi para gjykatës, pasi ishte lexuar aktakuza nga prokurorja, Fitore Sadikaj.

Ndërmjetësimi është procedurë alternativë për zgjidhjen e kontesteve gjyqësore në raste penale, gjë të cilën e kanë zgjedhur edhe sot zgjedhur sot edhe i pandehuri Muhamet Ajazi dhe i dëmtuari  Ramiz Lladrovci.

Ndërmjetësimi mund të aplikohet për veprat penale të cilat janë të dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tri vite.

Për t’u aplikuar kjo procedurë, duhet që pëlqimin ta japin të gjithë palët, përfshirë në këtë rast edhe Prokuroren, Fitore Sadikaj, nëse për rastin në fjalë ka të ngritur aktakuzë.

Afati për të arritur marrëveshje në procedurë të ndërmjetësimit është deri në 90 ditë, përveç nëse vazhdohet me ligjin për ndërmjetësim.

Në momentin kur një lëndë procedohet me ndërmjetësim, lëndën për trajtim e merr zyra për ndërmjetësim e cila ka rolin e pavarur. Rastin në ndërmjetësim mund të referohet nga prokurori dhe gjyqtari.

Prokurori mund ta dërgojë lëndën në ndërmjetësim nëse nuk ka të ngritur aktakuzë ndaj një ose disa personave, kurse pas ngritjes së aktakuzës, ndërmjetësimi udhëzohet nga Gjyqtari i vetëm Gjykues.

Nëse palët arrijnë marrëveshje në procedurën e ndërmjetësimit, ajo marrëveshje i dërgohet Gjykatës dhe gjyqtari do të marrë aktvendim për hedhjen e aktakuzës.

Por në rast se brenda afatit të paraparë ligjor nuk arrihet marrëveshja mes palëve ose njëra nga palët tërhiqet nga procedura e ndërmjetësimit, rasti fillon të procedohet përsëri në Gjykatë për tu gjykuar.

Çfarë thotë dosja e prokurorisë ?

Sipas Prokurorisë, Ajazi akuzohet se më 12.11.2021, gjatë fushatës elektorale e kishte penguar Lladrovcin në ushtrimin e veprimtarisë, në atë mënyrë, që derisa ishin duke qëndruar në restorantin “Lumi” në Komoran, kishte shkuar tek dëshmitarët Ndriqim Bujupi, Lindrim Ibriqi dhe Besart Ajazi dhe i’u kishte thënë “shyqyr që ka përfunduar me kaq se ja kisha q* nanen plumb”, duke aluduar në të dëmtuarin Ramiz Lladrovci.

Ndaj të akuzuarit Ajazi rëndon akuza e” kanosjes së kandidatit”, vepër penale që në Kodin Penal hyn në kuadër të kapitullit të veprave penale kundër të drejtave të votimit.

Prokuroria e ka kualifikuar këtë vepër sipas paragrafit 2 të nenit 208, dënueshmëria e të cilës parashihet me gjobë ose me burgim deri në 1 vit.

Shënim: Artikulli është edituar, ora 15:13

Shënim: Titulli i artikullit dhe fjala hyrëse në tekst është ndryshuar më 21.09.2024 në ora 12:05 duke treguar se Lladrovci dhe personi që dyshohet se e kanosi atë janë pajtuar që çështjen ta zgjidhin përmes procedurës së ndërmjetësimit.