Foto: Kallxo.com

Rahovecasi ballafaqohet me dëshmitarët në rastin e mbi 63 kilogramëve marihuanë në garazh

Rahovecasi Habib Shehu, i akuzuar për blerje dhe shitje të mbi 63 kilogramëve marihuanë, sot në gjykatën e Gjakovës u ballafaqua me deklarata të dëshmitarëve.

Sipas aktakuzës, Habib Shehut në maj të vitit 2019, në garazhin e shtëpisë së tij, ku edhe kishte parkuar kamionin, i janë gjetur tri paketime të mëdha me marihuanë.

Aktakuza e Prokurorisë thotë se marihuana ka qenë në peshë prej 63 kilogramë e 200 gramë.

Por ai kishte mohuar që marihuana të ishte e tij apo ta kishte lënë aty.

I akuzuari Habib Shehu, në Prokurori kishte deklaruar se është shofer i një kamioni, të firmës private “Xeni-T”, pa kontratë pune, përmes të cilës transporton karburante, por punon edhe sipas kërkesave të klientëve të ndryshëm.

Përveç tij, sipas të akuzuarit Shehu, këtë kamion e përdorin edhe shoferë të tjerë.

Garazhi në të cilën janë gjetur mbi 63 kilogramë marihuanë, sipas të akuzuarit është pronë e kompanisë së derivateve, ndërsa më herët kishte qenë e babait të tij, por ka thënë se për të janë në kontest civil, edhe pse tani për tani e shfrytëzon kompanisë së derivateve e kohë pas kohë e shfrytëzon edhe vet personalisht.

Sot, një ndër dëshmitarët ishte edhe babai i tij Sakib Shehu dhe vëllai i tij Gëzim Shehu, të cilët thanë se nuk do të dëshmojnë, meqenëse një gjë të tillë ua njeh edhe ligji.

Dëshmitari tjetër Admir Uruqi, menaxher i pompës së derivateve në pikën në Rahovec, tregoi se garazhin e pompës së derivateve e kishte shfrytëzuar e gjithë familja Shehu, por nuk e dinte se e kujt ishte ajo pronë.

Në të njëjtin objekt kishte qenë edhe gjeneratori (agregati) i rrymës së pompës , të cilin e përdorte pompa.

Dëshmitari tregoi se 6 ose 7 persona ishin si staf i pompës.

Sipas dëshmitarit Admir Uruqi, ajo pronë ishte në kontest midis pompës  dhe familjes Shehu.

Ai tha se kamioni që voziste i akuzuari Habib Shehu, ndonjëherë kishte të bashkangjitur edhe cisternë të naftës.

Më pas, dëshmitari Medin Bugari, punëtor i pompës së derivateve, tregoi se të akuzuarin Habib Shehu e kishte parë duke vozitur një kamion me cisternë.

Ai tha se ditën kur kishte ardhur Policia kishte qenë në punë, por nuk kishte parë se çfarë pune kishin bërë zyrtarët policorë.

Dëshmitari Medin Bugari tha se përveç të akuzuarit Habib Shehu, kamionin e kishin vozitur edhe personat Masar dhe Gëzim Shehu.

Ai shtoi se garazhet afër pompës së derivateve  i ka shfrytëzuar familja Shehu dhe se të njëjtat kishin qenë gjithmonë të hapura.

Kjo aktakuzë, është ngritur një vit pas gjetjes së kësaj sasie të drogës.

Habib Shehu gjendet në paraburgim nga 7 maji 2019.

Për këtë vepër penale, sipas dispozitave ligjore, i njëjti mund të dënohet 2 deri në 8 vite burgim.

Ky gjykim do të vazhdojë më 21 korrik me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.

 

Artikulli është edituar në emrin e pompës së derivateve