Qeveria: Punëtorëve të Trepçës sot i janë shpërndarë pagat

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se janë shpërndarë pagat për punëtorët e Trepçes të cilët para dy dite kanë protestuar pikërisht për këtë çështje.

Në komunikatën e lëshuar nga zyra për media e qeverisë, po ashtu është bërë e ditur që bordi i ri ka hartuar edhe një planë 15 pikësh për këtë ndërmarrje.

“Bordi i ri i përkohshëm në ndërmarrjen “Trepça” Sh.A. ka filluar punën. Janë mbajtur gjashtë mbledhje, tri prej tyre të jashtëzakonshme. Kanë hartuar një plan 15 pikësh. Së fundmi, kanë zgjedhur ushtruesin e detyrës së kryeshefit të ri”, thuhet në njoftimin e ZKM.

Sipas njoftimit shkarkimi i kryeshefit të “Trepçës”, Basri Ibrahimi, dy ditë më parë ka ‘ka nisur një optimizëm i ri’.

“ Trepça nuk do të jetë më ndërmarrja për një grup a parti të caktuar që duan ta vjelin e ta vjedhin, por do të bëhet ndërmarrja e shtetit të Kosovës. Ka një entuziazëm të ri te punëtorët. Ata më herët kanë provuar t’i përçajnë e t’i ndajnë. Tash puna i bashkon dhe Bordi e Menaxhmenti i ri do t’ju ndihmojnë e do t’i përkrahim”, thuhet tuje në aty.

Duke bërë të ditur që  Ligji aktual i Trepçës ka mangësi e paqartësi dhe se duhet ndryshuar, ekzekutivi ka thënë që kjo ndërmarrje nuk do të shfrytëzohet për premtime të fushatave.

“Trepça shumë herë është shfrytëzuar për premtime e fushata, në pazare e negociata. Kapaciteti i saj prodhues është shtetndërtues. Sot, ne duhet t’i dalim në mbështetje Trepçës. Nesër, ajo do të na mbështesë neve. Në muajin mars prodhimi ka qenë rekord: 14.810 tonë. Duhet ta mbajmë këtë ritëm e ta shtojmë atë. Trepça do të jetë pjesë e pakos së dytë fiskale të rimëkëmbjes ekonomike”, thuhet tuje në njoftim.

Sipas njoftimit ‘në Trepçë, Stantërg e Artanë janë 1280 punëtorë dhe se punëtorët nuk duhet të kenë vetëm paga por edhe të drejta’.

Më 15 prill rreth 400 minatorë kanë ndalur punën për shkak të mos marrjes së pagave, po atë ditë Bordi i Përkohshëm Mbikëqyrës i Drejtorëve në “Trepçë” ka shkarkuar kryeshefin e kësaj ndërmarrjeje, Basri Ibrahimi.

Ndërsa dje Bordi i Përkohshëm Mbikëqyrës i Drejtorëve në “Trepçë” ka emëruar Hysen Vrajollin në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv në këtë ndërmarrje publike.