Një nga mbledhjet e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) FOTO: KALLXO.com

Qeveria ndau 3.3 milionë euro më pak për sistemin prokurorial

Këshilli Prokurorial i Kosovës do të ketë një buxhet prej 3.3 milionë euro më pak se sa nevojat e këtij institucioni. Kuvendi i Kosovës e ka miratuar buxhetin e Republikës së Kosovës të vitit 2020, në të cilën është buxheti i KPK-së në vlerë prej 15 milionë euro.

Për mbulimin e nevojave dhe menaxhimin e duhur të sistemit Prokurorial, KPK thotë se për vitin 2020 kanë kërkuar një buxhet prej 18.3 milionë euro. Kërkesa e tillë nuk është miratuar dhe këtij institucionit i janë ndarë 15 milion euro buxhet.

Ky buxhet i KPK-së ka një rritje prej 851 mijë euro krahasuar me vitin paraprak.

Pjesa më e madhe e këtij buxheti do të shkojë për paga, ndërsa vetëm 1.8 milionë euro shkojnë për investime kapitale.

Këshilli Prokurorial i Kosovës si njëri nga institucionet me të rëndësishme në vend në vazhdimësi ka pranuar buxhet më pak se sa ka kërkuar.

Në tri vitet e fundit, KPK-së i janë ndarë rreth 6 milionë euro më pak se që ka kërkuar

Në vitin 2017, KPK ka kërkuar gati 13 milionë euro, ndërsa i janë ndarë vetëm pak më shumë se 9 milionë euro, në vitin 2018, KPK ka kërkuar gati 14 milionë euro ndërsa i janë ndarë 12 milionë euro, në vitin 2019, KPK ka kërkuar rreth 16 milionë euro ndërsa i janë ndarë gati 1 milion e gjysmë më pak.

Pra përkundër që ka pasur rritje të vazhdueshme të buxhetit të ndarë për Këshillit, asnjëherë Këshillave nuk u është ndarë buxheti i planifikuar dhe i kërkuar.

Përkundër se me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet respektive të Këshillave, pavarësia financiare e KGjK-së dhe KPK-së nuk do të duhej as të diskutohej, në praktikë rezulton se ende propozimet për buxhet të KGjK-së dhe KPK-së, kalojnë përmes Ministrisë së Financave drejt Kuvendit të Kosovës, dhe se kërkesat buxhetore të Këshillave nuk  përmbushen.