Qeveria Haradinaj zyrtarisht nën hetime për “53 milionshin”e autostradës

Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar për KALLXO.com së është duke zhvilluar hetime në lidhje me zbardhjen e përgjegjësve që i shkaktuan 53 milion euro dëm buxhetit të Kosovës pas dështimit për të përmbushur obligimet ndaj kompanisë që ndërtoi Autostradën “Arbën Xhaferi”.

Në qershor të vitit të kaluar Qeveria e Kosovës mori vendim që t’i paguaj 53 milion kompanisë “Bechtel-Enka ndërsa Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj kishte thënë se “për shkak të dështimit të Qeverisë së kaluar që t’i paguajë me rregull faturat, konsorciumi ka kërkuar që fillimisht t’i paguajmë 63 milionë euro për shkak të mbajtjes së pajisjeve gjatë dhe shpenzimeve indirekte”.

Për të zbardhur arsyet që shpien deri tek ky obligim i Qeverisë së Kosovës, Prokuroria Speciale e Kosovës, tashmë ka intervistuar një numër të konsiderueshëm të personave.

“Hetimet janë në zhvillim e sipër, deri më tani janë dëgjuar një numër i konsiderueshëm i dëshmitarëve, si dhe jemi duke punuar në mënyrë intensive në këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës për këtë rast.

Informacionet se kush deri më tani është intervistuar për këtë rast janë mbajtur konfidenciale nga Prokuroria Speciale.

Historia e 53 milionë euro ishte dal në publik në fund të vitit 2017 pas deklarimeve të ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Por, Gazeta Jeta në Kosovë kishte gjetur se në fakt aneks-kontrata është nënshkruar vetëm 18 ditë pas ardhjes në pushtet të qeverisë Haradinaj. Aneks kontrata që sipas këtij dokumente ishte kërkuar fillimisht nga ish ministri Zharku në shtator të 2016, është nënshkruar nga ministri aktual Pal Lekaj më 27 shtator 2017, vetëm 18 ditë pas ardhjes në pushtet të Qeverisë Haradinaj.

Aneks kontrata e nënshkruar nga Qeveria Haradinaj e  zgjatë afatin për përfundimin e punimeve të kësaj autostrade deri më 31 dhjetor të 2018.

“Pas vonesave të Qeverisë për pagesat e punëve të kryera nga punëkryesi, Qeveria dhe kontraktori janë detyruar të zgjasin afatin për përfundimin e punimeve, ashtu që Qeveria Haradinaj me dt. 27 shtator 2017 ka nënshkruar aneks kontratën për përfundimin e punimeve deri më 31.12.2018”, thuhet në memorandumin që ministri Lekaj i ka dërguar sekretarisë së Zyrës së Kryeministrit më 20 prill të këtij viti.

Kontrata fillestare për ndërtimin e autostradës Prishtinë Hani i Elezit është nënshkruar më 1 korrik 2014 me vlerë prej 599 milionë e 944 mijë e 263 euro e 55 cent (599,944,263.55 euro), mirëpo pas 1 shtatorit të 2015 ky çmim ishte rritur për mbi 8 milionë euro për shkak të ndryshimit të TVSH-së nga 16% në 18%.

Pra, shifra e shpenzimit për këtë autostradë kishte arritur shifrën e  608 milionë e 348 mijë e 430 euro e 87 cent (608,348,430.81 euro).

Përmes këtij memorandumi, Ministri Lekaj njofton Qeverinë për kërkesat e kompanisë Bechtel Enka, të cilat i kanë kushtuar buxhetit të shtetit plotë 53 milion euro.

Kontraktori, në këtë rast kompania “Bechtel&Enka” i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës 16 milionë e 600 mijë euro për dëmin indirekt apo shpenzimet për personelin menaxhues që kanë administruar me projektin.

Ndërsa, 36 milionë e 300 mijë euro “Bechtel & Enka” i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës duke u bazuar në përdorshmërinë e pajisjeve. Tek  ky shpenzim përmenden dy shifra. Fillimisht është një kërkesë për 30.8 milionë euro, mirëpo në kalkulimet përfundimtare është 36.3 milionë euro. Pra, në fakturen që do të paguaj qeveria është 5.5 milionë euro më shumë.

Transaksionet dhe burimi i gjobës prej 53 milionë euro për Autostradën (Dokument)