Foto: Prokuroria e Pejës

Pushojnë hetimet ndaj zyrtarit komunal që qëndroi dy muaj në arrest shtëpiak

Prokuroria e Pejës ka pushuar hetimet ndaj zyrtarit të gjendjes civile, Halit Gashi, i cili ishte hetuar nga Prokuroria se në mënyrë joligjore ka regjistruar shtetas të huaj në sistemin elektronik të gjendjes civile.

KALLXO.com ka raportuar kur Gashit më 11 gusht i ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak nga Gjykata e Pejës, ndërsa Prokuroria e Pejës kishte kërkuar masën e paraburgimit.

Halit Gashi ka qëndruar në masën e arrestit shtëpiak deri më 8 tetor të këtij viti.

Ndërsa këtë muaj Prokuroria e Pejës ka pushuar hetimet ndaj tij.

Prokuroria në aktvendimin për pushim të hetimeve ka konstatuar se pas zhvillimit të hetimeve e vlerësimit të provave nuk është arritur të vërtetohet përtej dyshimit të arsyeshëm se i pandehuri Gashi ka kryer veprimet për të cilat ishte hetuar.

“Në prezencën e këtyre rrethanave gjejmë se kemi të paktën 4 prova të cilat nuk provojnë se i pandehuri ka kryer veprat penale për të cilat është filluar hetimi, po ashtu duke u bazuar në nenin 7 të KPP-së, sipas të cilit, gjykata, prokurori e policia, detyrohet saktësisht ti vërtetojnë faktet që janë te rëndësishme për marrjen e një vendimi të ligjshëm”, thuhet në arsyetim të aktvendimit për pushim të hetimeve.

Për këtë rast, në pranga ishte vënë edhe shtetasi turk, Baris Nakipoglu, që ka arritur t’i ketë në shfrytëzim dokumentet si pasaportën, letërnjoftimin dhe patentë-shoferin.

Po ashtu hetimet pjesërisht janë pushuar edhe në drejtim të tij.

“Pushojnë pjesërisht hetimet ndaj të pandehurit Baris Nakipoglu për vepren penale vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes për shkak se nuk është vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm se i njëjti e ka kryer këtë vepër penale”, thuhet në aktvendimin e Prokurorisë.

Prokuroria e Pejës edhe ndaj Nakipoglu kishte kërkuar masën e paraburgimit, por nga Gjykata kërkesa ishte refuzuar si jolëndore pasi i pandehuri veçse gjendej në masën e paraburgimit sipas vendimit të Gjykatës së Prizrenit, me qëllim të zhvillimit të procedurës së ekstradimit.