Zenun Elezaj, AAK, Klinë. Foto: Kallxo.com

Punësimi i vajzës, kryetari i Klinës Zenun Elezaj në dhjetor para gjyqit

Gjykata e Pejës ka caktuar seancën fillestare kundër Kryetarit të Klinës, Zenun Elezaj, lidhur me veprën penale Konflikt Interesi.

Seanca fillestare do të mbahet me datë 9 dhjetor 2019.

Në aktakuzë Prokuroria pretendon se kryetari Zenun Elezaj ka formuar komisionin për zhvillimin e procedurave për themelimin e marrëdhënies së punës duke u bazuar në konkursin e publikuar të datës 2 shkurt 2018.

Ky komision kishte përzgjedhur vajzën e kryetarit si më të suksesshmen, duke e punësuar të njëjtën si mjeke të praksës së përgjithshme në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza”, në Klinë.

Në lidhje me këtë rast, i pari i Klinës në Prokurori ka deklaruar se në momentin kur ka kuptuar se vajza e tij ka aplikuar për mjeke në atë konkurs e ka përjashtuar veten nga vendimmarrja dhe procedurat administrative në këtë rast.

Aktakuzë ndaj kryetarit të Klinës për punësimin e vajzës

.