Objekti i ATK-së | Foto: KALLXO.com

Punësimi i 30 inspektorëve, Gjykata e shpalli të pavlefshëm konkursin e ATK-së

Gjykata e Prishtinës i ka dhënë fund betejës në shkallë të parë për konkursin e ATK-së.

Drama dhe mbi dy vite ethe për inspektorët tatimor që ishin përzgjedhur në atë konkurs po shkojnë drejtë fundit.

30 inspektorë tatimor të emëruar nga viti 2017 të cilët akoma janë duke punuar me kontrata jo të sigurta janë duke u varur nga vendimi i Gjykatës.

3 vite pas konkursit dhe përzgjedhjes së 30 inspektorëve, Gjykata e Prishtinës e ka shpallur të pavlefshëm konkursin e ATK-së.

Pavlefshmërinë e konkursit Gjykata e shpalli duke e refuzuar kërkesën e ATK-së, që kërkonte që emërimi i 30 inspektorëve të cilësohej i rregullt.

Me këtë rast Gjykata e ka konsideruar si të drejtë dhe legjitim vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës mbi Shërbimin Civil, i cili kishte konstatuar se konkursi i ATK-së, ishte në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren e shërbimit civil për rekrutim.

Deri te ky konstatim Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës kishte ardhur në bazë të një numri të madh të ankesave nga kandidatët të cilët nuk ishin përzgjedhur inspektor në ATK.

Ky Këshill e kishte cilësuar si të parregullt konkursin e ATK-së, dhe e kishte anuluar duke kërkuar që të hapej një konkurs i ri nga ish-drejtori i ATK-së, Sakip Imeri.

Këtij vendimi kryesuesi i këtij komisioni Eshref Shabani nuk i kishte qëndruar pranë edhe gjatë fazës së gjykimit.

Ai në kishte kërkuar nga Gjykata që kërkesën e ATK-së, ta aprovojë pjesërisht dhe t`i lejoj të vazhdojnë punën 18 nga 30 inspektorët e ATK-së, me arsyetimin se 18 nga ata i kanë plotësuar kushtet për inspektor.

Mirëpo ky propozim u hodh poshtë nga Gjykata pasi një akt administrativ nuk mund të konsiderohet në të njëjtën kohë edhe i ligjshëm edhe i paligjshëm.

Çështja e konkursit të ATK-së, me 19 maj 2020 e morri epilogun nga Gjykata e Prishtinës.

Kjo gjykatë e cilësoi si të parregullt konkursin e ATK pasi e konstatoi si diskriminues dhe me shkelje të mëdha ligjore.

Gjykata konstatoi se në këtë konkurs ishin punësuar persona të cilët nuk i përmbushnin kriteret për inspektor.

Gjykata ka gjetur se 8 nga të punësuarit nuk e kanë pasur përvojën e duhur të punës për t`u bërë inspektor.

“Gjykata vëren se kandidatët E. B., L. A., M. F., D. A., V. B., D. N., L. I. dhe S. R., në bazë të dëshmive të ofruara nga paditësja për përgatitjen profesionale nuk e kanë përvojën e punës tre vite pas diplomimit, prandaj komisioni përzgjedhës me rastin e përzgjedhjes së tyre ka bëre shkelje”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Gjykata ka konstatuar se komisioni i ATK-së, ka bërë diskriminim në momentin kur i ka eliminuar nga konkursi kandidatet të cilët nuk e kanë dëshmuar përvojën e punës me pagat në trustin pensional ndërsa në fund ka përzgjedhur për inspektor persona të tjerë edhe pse nuk e kanë dëshmuar përvojën e punës me të dhënat nga trusti pensional.

Parregullsi tjetër e konstatuar nga Gjykata e Prishtinës është mënyra e poentimit në diplomat universitare.

Gjykata ka konstatuar se poentomi i kandidatëve nuk ka qenë në përputhje me rregulloren pasi disa kandidat edhe pse e kanë pasur diplomën janë poentuar me 16 dhe 18 pikë e disa të tjerë me 20 pikë që ishte maksimumi.

Sipas gjykatës të githë kandidatët që kanë pasur diploma është dashur të poentohen me nga 20 pikë.

Gjykata ka konstatuar se ATK e ka shkelur ligjin edhe në momentin kur nuk e ka barë pezullimin e konkursit pas ankesës nga ana e kandidates E. Z.

Përpos këtyre shkeljeve në procesin e konkurrimit Gjykata ka gjetur se L. M. është përzgjedhur kandidat i suksesshëm edhe pse nuk e ka pasur diplomën e nostrifikuar nga Ministria e Arsimit siç kërkohet me udhëzim administrativ.

Këto shkelje të konstatuara kanë bërë që Gjykata të vendosë për aprovimin e vendimit të KPMSHC-së, me të cilin ishte urdhëruar që të anulohet procedura e përzgjedhjes së inspektoreve dhe shpallja e konkursit të ri.

Kjo nënkupton se Gjykata e Prishtinës e ka anuluar procesin e konkursit për 30 ëtatimor në ATK.