Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PSD: Policia e Kosovës i lëndoi aktivistët duke përdorur dhunë

Konferenca për media e Kryetares së Gjykatës të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, u kundërshtua dhe u përcoll me protestë si brenda ambientit ku po mbahej konferenca ashtu edhe jashtë.

Para se të fillonte prezantimi i fjalës hyrëse të kryetares Trendafilova, dy aktivistë të Partisë Social Demokrate të Kosovës – PSD, e kanë marrë fjalën dhe kanë filluar të fishkëllejnë në shenjë proteste për punën e Gjykatës Speciale.

Mirëpo përderisa në shenjë revolte ndaj krijimit dhe mandatit të Gjykatës Speciale, po fishkëllehej brenda, jashtë aktivistët e tjerë të PSD-së kanë hedhur ngjyrë mbi veturat e zyrtarëve të EULEX-it.

Lidhur me këtë aksion të aktivistëve të PSD-së, pati arrestime nga ana e Policisë së Kosovës.

E lidhur me arrestimin e aktivistëve të partisë, ka reaguar PSD.

Sipas partisë, ndaj aktivistëve të cilët e zhvilluan një aksion simbolik për të penguar ri legjitimimin e Gjykatës Speciale dhe misionit të saj, Policia ka ushtruar dhunë të jashtëzakonshme ndaj aktivistëve.

“Sot, përgjatë raportimit të kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, aktivistë të PSD-së, Lisjan Perolli dhe Bardh Ahmeti, zhvilluan aksion simbolik për të penguar ri legjitimimin e Gjykatës Speciale në misionin e saj për të tjetërsuar luftën çlirimtare të UÇK-së. Përgjatë aksionit simbolik jashtë konferencës për media, Policia e Kosovës përdori dhunë jashtëzakonisht të madhe ndaj aktivistëve duke i lënduar dhe i arrestuar ata”, thuhet në reagimin e PSD-së.

PSD në reagimin e tyre kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të aktivistëve të PSD-së, duke potencuar faktin se në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë që në qetësi të ri legjitimohet Gjykata Speciale.

“Gjykata Speciale është e padrejtë, prandaj ajo nuk mund të sjellë drejtësi. Si e tillë, nuk mund të lejojmë assesi që të ri legjitimohet në qetësi teksa tjetërson historinë tonë. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti dhe Agron Kabashi të cilët u arrestuan gjatë aktivitetit sot”, thuhet në reagimin e PSD-së.