Jovica Maksimoviq Gjilan

Foto: Kallxo.com

Provoi t'u japë ryshfet 20 euro policëve në kufi, dënohet nga Gjykata në Gjilan

Jovica Maksimoviq, i akuzuar se ka kryer vepren penale të dhënjes së ryshfetit, ka dalë para gjykatësit në Gjilan për t’u deklaruar lidhur me atë që Prokuroria e ngarkon.

Në fillim të seancës gjyqësore kryetari i trupit gjykues Islam Thaqi tha se Gjykatës i ka arritur një marrëveshje për pranimin e fajësisë me të cilën Maksimoviq pranon dënimin me gjobë prej 1,500 euro.

“Gjykata konstaton se në shkresat e lëndës ka arritur një marrëveshje për pranimin e fajësisë e cila është lidhur në mes të akuzuarit në njërën anë dhe Prokurorisë në anën tjetër”, tha gjykatësi Thaqi.

Prokurori Isuf Sadiku dhe i akuzuari me avokatin e tij deklaruan se qëndrojnë pranë marrëveshjes së arritur duke i propozuar Gjykates që atë ta pranojë pasi e kanë arritur pa kurrfarë presioni dhe me vullnetin e të akuzuarit.

Në aktakuzë përshkruhen veprimet e të akuzuarit deri tek ofrimi i ryshfetit prej 20 euro zyrtarëve policorë dhe atyre doganorë.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Jovica Maksimoviq në muajin maj të këtij viti, në piken kufitare “Dheu i Bardhë”, duke e drejtuar kamionin e tij, ishte ndalur për t’i kryer procedurat e kalimit të kufirit ku pas kontrolles nga zyrtarët policorë dhe ata të doganës, i ishte gjetur mall komercial i fshehur.

Tutje sipas aktakuzës, i akuzuari Maksimoviq zyrtarëve policorë u kishte ofruar 20 euro ryshfet dhe duke u thënë “mos e bëni të madhe këtë punë, merrini këto para dhe pini diçka”, ku më pas edhe është arrestuar.

Në fund të seancës gjykatësi Islam Thaqi e aprovoi marrëveshjen e arritur në Prokurori dhe tha se për Gjykatën e njëjta është e pranuar.

“Marrëveshja e cila na është sjellur në shkresat e lëndës për Gjykatën është e pranuar, andaj dënimin unik prej 1.500 euro obligohet i akuzuari që ta paguajë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit së bashku me shpenzimet e procedurës”, tha në fund gjykatësi Thaqi pasi e shpalli edhe vendimin lidhur me këtë çështje.