ARKIV - Përleshje mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan.

Provat për dënimin e të akuzuarit për sulmin ndaj KFOR-it

25.06.2024 në emisionin “Five” në “Tv Dukagjini”, avokati Tomë Gashi kishte folur lidhur me aktgjykimin dënues ndaj të akuzuarit, Nenad Orlloviq i njohur me nofkën “Rusi”.

Orlloviq ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për dy vepra penale: “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe veprën penale “Pjesëmarrja në trumë që kryejnë vepër penale apo huliganizëm”.

Për veprën e parë Nenad Orlloviq ishte dënuar me 15 muaj dënim me burgim apo 1 vit e 3 muaj dënim me burgim dhe për pjesëmarrje në turmë që kryejnë vepra penale apo huliganizëm ishte dënuar me 6 muaj dënim me burgim por që ju kishte dhënë mundësia që dënimin me 6 muaj burgim ta zëvendësonte me 12 mijë euro dënim me gjobë.

Këtë dënim të gjykatës, avokati Gashi e kishte cilësuar si dënim minimal për të akuzuarin Orlloviq.

“Ky dënim i sotëm deri e kam marrë vesh emrin e gjyqtares kogja shumë kam qenë i befasum e kur e kam marrë emrin e gjyqtares jam kanë 3 herë ma i befasum, për shkak të dënimit i cili është dënim minimal të themi”- kishte thënë avokati, Tomë Gashi në emisionin “Five” në “Tv Dukagjini”.

Orlloviq kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Speciale më 18.06.2024.

Në marrëveshje për pranimin e fajësisë, i akuzuari pranon veprimet për të cilat Prokuroria e ngarkon dhe gjithashtu dakordohen për lartësinë e dënimit për veprat për të cilat ngarkohet.

“Më 21.06.2024, kryetarja e trupit gjykues pas pranimit të aktakuzës dhe marrëveshjes për pranim të fajësie ka caktuar dhe ka mbajtur seancë dëgjimore për shqyrtimin e marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë… gjykata ka konstatuar se marrëveshja mbi pranimin e fajësisë ka mbështetje ligjore, të njëjtën e ka pranuar dhe e ka vendosur si në shkresa të lëndës”- thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Prishtinës të datës 01.07.2024.

Nëse arrihet dakordimi me palën, Prokuroria i propozon Gjykatës ose i rekomandon një dënim i cili mund të prek minimum e dënimit, por nuk mund të shqiptoj dënim nën kufijtë e zbutjes së dënimit.

“Në çdo kohë pas ngritjes së aktakuzës dhe para përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, prokurori i shtetit dhe mbrojtësi mund të negociojnë kushtet e marrëveshjes së shkruar për pranimin e fajësisë, në bazë të së cilës i pandehuri pranon fajësinë në shkëmbim për: 2.1. pajtimin e prokurorit të shtetit që t’i rekomandojë gjykatës dënim më të butë. Kjo mund të përfshijë rekomandimin për një dënim nën minimumin e dënimit të paraparë me ligj, por jo nën kufijtë e zbutjes së dënimit”- thuhet në nenin 230, paragrafi 2 i Kodit të procedurës penale.

Vepra penale për të cilën akuzohej Orlloviq, “sulmi ndaj personit zyrtar” dënohet nga një vit deri në dhjetë vite dënim me burgim.

“Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me lëndim të rëndë trupor të personit zyrtar apo ndihmësit të tij, kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet”- thuhet në nenin 402, paragrafi 5 të Kodit Penal të Kosovës.

Kurse vepra penale “Pjesëmarrja në turmë që kryejnë vepër penale apo huliganizëm” është e dënueshme nga 6 muaj deri në pesë vite dënim me burgim.

Pra në këtë rast, Gjykata ka marrë për bazë marrëveshjen për pranimin e fajësisë që e kanë arritur Prokuroria dhe i akuzuari, të njëjtën e ka aprovuar dhe ka marrë për bazë dënimin e rekomanduar që i ka prezantuar Gjykata.

“Gjatë marrjes së vendimit mbi llojin dhe lartësinë e dënimit, Gjykata i dëgjoi palët, deklaratat e palëve dhe ka pranuar dënimet e propozuara sipas marrëveshjes për pranimin e fajësisë, ashtu që Gjykata i ka shqiptuar dënimet si në dispozitiv të këtij aktgjykimi pasi që i akuzuari ka arritur marrëveshjen për pranimin e fajësisë, andaj Gjykata vlerëson se me dënimet e shqiptuara sipas marrëveshjes për pranimin e fajësisë janë në proporcion me veprat e kryera penale dhe rrethanat personale të cilat i posedon i akuzuari”- thuhet në arsyetimin e aktgjykimit të datës 01.07.2024.

Negocimi i marrëveshjes për pranimin e fajësisë është procedurë alternative e cila me vullnetin e palës së akuzuar mund të aktivizohet, në momentin kur aprovohet marrëveshja në Gjykatë, rasti nuk lëshohet në administrimin e provave qoftë personale apo materiale.

Shpallja e aktgjykimit ishte bërë nga gjyqtarja Valbona Musliu- Selimaj, në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës të hënën më 24.06.2024.

Me aktvendim të veçantë të akuzuarit Orlloviq i ishte vazhduar masa e paraburgimit deri në kohëzgjatjen e dënimit, por jo më shumë se sa dënimi i shqiptuar me aktgjykimin e Gjykatëse Themelore.

Dosja e Prokurorisë

Sipas aktakuzës të datës 11.06.2024, i akuzuari Nenad Orlloviq akuzohet se më datë 29.05.2023, në intervalin kohor duke filluar nga ora 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, në koordinim me shumë të pandehur tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë në grupin e personave ku përmes dhunës i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFORI-it.

Këtë sipas Prokurorisë e kanë bërë duke përdorë mjete të forta e shpërthyese të improvizuara si dhe armë të zjarrit, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFORIT-it, 3 nga ta nga predhat e armëve të zjarrit.

Përveç ushtarëve të KFOR-it, të lënduar kishin mbetur edhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët kanë qenë në detyrë zyrtare.

Me këto veprime i akuzuari në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Orlloviq akuzohet se më datë dhe kohë të njëjtë në koordinim me të pandehurit tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar qe të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit, duke vepruar në kundërshtim me urdhrat e KFOR-it, kanë shkaktuar dëme materiale në automjetet e KFOR-it, Policisë dhe veturat e gazetarëve që e kishin mbuluar ngjarjen atë ditë.

Dosja thotë se dëmtimet përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin fizik në masë të madhe, duke shkaktuar rrezik në shkallë të gjerë për jetën dhe trupin e shumë njerëzve dhe pasurisë.

Me këto veprime, mbi të rëndon vepra penale “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.

Raportimet e KALLXO.com  – LINK