Gjykimi ndaj Ibrahim Mustafes në Ferizaj

Propozohet një dëshmitar, shtyhet seanca ndaj inspektorit të akuzuar të ATK-së

Ibrahim Mustafa, inspektor i Administratës Tatimore të Kosovës, Rajoni i Ferizajit, ka dalur para gjykatësit për t`u përballur me aktakuzën e Prokurorisë e cila atë e ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Por që seanca ndaj tij dështoi të mbahet.

Shkak për dështimin e kësaj seanca ishte mungesa e dëshmitarit Mejdi Sejdiu, i cili është inspektor i Administrates Tatimore në rajonin e Ferizajit, por që nuk ishte ftuar në mënyrë të rregullt.

Sipas aktakuzës gjatë muajit prill të vitit 2016, në Kaçanik, si person zyrtar, inspektor i Administratës Tatimore të Kosovës, Rajoni Ferizaj, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit pasuror për vajzën e tij Jehona Mustafa, në atë mënyrë  që si inspektor tatimor me rastin e vizitës inspektuese të ndërmarrjes tregtare “Bardhi B”, me pronar Bardhyl Topojani, ka bërë marrëveshje që kontabilitetin e ndërmarrjes t‘ia mbaj vajza e tij Jehona Mustafa, të cilin shërbim deri në atë kohë e kryente kontabilisti, Mensur Tusha.

Tutje sipas Prokurorisë, i akuzuari gatë muajit qershor të vitit 2018 në Ferizaj, si person zyrtar inspektor i Administratës Tatimore të Kosovës, rajoni Ferizaj, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit pasuror për, vajzën e tij Jehona Mustafa, në atë mënyrë që si inspektor tatimorë ka kërkuar nga Mehmet Deliu, pronar i ndërmarrjes “Obria” SH.P.K., me seli në Ferizaj që t‘ia marrë librat e kontabilitetit, kontabilistit Fehmi Ademi dhe të njëjtat t‘ia dorëzoj atij, me qëllim që kontabilitetin e firmës ta udhëheq vajza e tij, mirëpo pas lajmërimit të rastit në polici, i njëjti ia ka kthyer librat e kontabilitetit pronarit.

Tutje sipas aktit akuzues, i akuzuari më 11 maj 2016 Kaçanik, si person zyrtar – inspektor i Administratës Tatimore të Kosovës Rajoni Ferizaj, ka marrë pjesë në çështjen zyrtare, inspektim të ndërmarrjes tregtare “Bardhi – B” me seli në Kaçanik. Në të cilën ka pasur interes financiar anëtari i familjes së tij, në atë mënyrë që ka ushtruar vizitë inspektuese në ndërmarrjen e përmendur, në të cilën ndërmarrje ka qenë e punësuar si kontabiliste vajza e tij Jehona Mustafa.

Seanca që është dashur të mbahet sot, u shty për datën 10 dhjetor.